Ndërlidhjet

UDHËHEQËSIT E KOSOVËS DISKUTOJNË PËRGATITJET PËR DEKLARATËN E PAVARËSISË


Zijadin Gashi

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë filluar diskutimet për caktimin e agjendës përmbyllëse të shpalljes së pavarësisë. Presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi kanë zhvilluar sot një takim pa praninë e mediave. Në këtë takim, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, është diskutuar për përfundimin sa më të shpejtë të procedurave dhe përgatitjeve për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, si dhe për agjendën festive që do të mbretërojë atë ditë në Kosovë. “Ne kemi diskutuar për përgatitjen sa më të shpejtë të të gjitha procedurave dhe përgatitjeve përfundimtare që kanë mbetur nga institucionet e Kosovës, në koordinim me partnerët tanë, që të përfundojnë të gjitha këto dhe natyrisht të kemi edhe shpallje institucionale shtetërore, çfarë e meritojnë qytetarët e Kosovës, por edhe për perspektivën e agjendës festive”, tha Hashim Thaçi. Ai tha se në takimin e treshes udhëheqëse të institucioneve të Kosovës është biseduar edhe për të gjitha zhvillimet aktuale politike. Thaçi tha se Kosova, me deklarimin e pavarësisë dhe zotimin për zbatimin e pakos së Ahtisaarit, do të dëshmojë edhe njëherë se e mirëprit edhe misionin e ardhshëm civil dhe ushtarak ndërkombëtar në Kosovë, edhe pas vendimit për statusin. “Kosova e ka mirëpritur dokumentin e presidentit Ahtisaari, ka marrë zotime për implementimin e këtij dokumenti që është afirmativ, që është me një mbështetje civile ndërkombëtare dhe me prezencë të NATO-s. Por, Kosova gjithmonë ka dërguar edhe mesazhe që misioni i ri civil evropian dhe amerikan është i mirëpritur në rolin mbështetës për institucionet e vendit”, theksoi kryeministri i Kosovës. Ndërsa Hashim Thaçi ka folur për hapat vendimtarë që institucionet e Kosovës po i ndërmarrin për përgatitjen e deklaratës së pavarësisë dhe hapave tjerë, Kryesia e Kuvendit ka caktuar sot seancën plenare për datën 31 janar, por në rendin e ditës së kësaj seance nuk figuron ndonjë pikë që ka të bëjë me statusin. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se deklarata e pavarësisë fillimisht do të përgatitet nga udhëheqësit e institucioneve. “Përgjegjësinë për deklaratën e pavarësisë do ta kenë presidenti, kryeministri dhe kryetari i Parlamentit. Ky është vendimi që kemi marrë sot”, tha Krasniqi. Pritet që në fazat e ardhshme, pjesë e projektit të deklaratës së pavarësisë të jenë edhe liderët e opozitës. Ndërkohë, sot ka filluar debati publik për Kushtetutën e Kosovës, e cila e përcakton Kosovën si një Republikë Parlamentare, ndërkohë që përmban edhe dispozitat e përcaktuara qysh më parë nga pakoja e Ahtisaarit. Liderët kosovarë tashmë thonë se shpallja e pavarësisë është një çështje ditësh, përderisa analistët parashohin se Kosova nuk do ta bëjë publike datën e deklarimit të pavarësisë para 4 shkurtit. Sidoqoftë, caktimi i agjendës dhe i datës së deklaratës së pavarësisë, sipas udhëheqësve të Kosovës, do të jenë vendime të koordinuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Kështu që agjenda kohore e këtyre vendimeve besohet se do të jetë rezultat i harmonizimeve dhe koordinimeve me ndërkombëtarët.


XS
SM
MD
LG