Ndërlidhjet

Kadare: Kosova ta gëzojë lirinë


Ismail Kadare
Ismail Kadare

"Ta gëzosh lirinë është diçka madhështore. Për lirinë duhet punuar. Unë kam besim të plotë te populli i Kosovës", thotë në një intervistë ekskluzive për Radion Evropa e Lirë shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kadare, tashmë ndodhi... Kosova deklaroi pavarësinë. Si ndiheni, çfarë do të thotë ky zhvillim?

ISMAIL KADARE
Më bëni një pyetje që ndoshta e dini përgjigjen. Ndihem shumë i lumtur dhe çdo fjalë nuk do ta shprehte gjithë atë ngazëllim që ndjej unë, si gjithë shqiptarët në këtë çast.

RADIO EVROPA E LIRË
Kujt i takon nderimi i parë sot?

ISMAIL KADARE
Nderimi në raste të tilla i takon në rradhë të parë atyre që u flijuan për këtë ditë të madhe. Ky është zakon botëror dhe jo vetëm zakon, por moralitet universal, i pandryshueshëm në shekuj.
Edhe në rastin e Kosovës ata kanë kujtesën e parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova dhe Shqipëria, tashmë shtete, do të ndajnë të njëjtat ikona kombëtare, përfshirë Skëndërbeun, Nënë Terezën, Kadarenë... por me flamuj të ndryshëm shtetërorë. Si e shihni raportin Kosovë-Shqipëri pas shpalljes së pavarësisë?

ISMAIL KADARE
Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të ndryshme, por nuk duhet harruar që janë dy shtete shqiptare. Ato do jenë dy shtete, por kombi shqiptar mbetet një.
Kombi shqiptar ka një histori të dytë që ecën paralelisht me historinë politike shtetërore.
Uniteti i kombit shqiptar është tjetër gjë dhe dy shtetet shqiptare janë tjetër gjë. Natyrisht, ato i bashkon koncepti shqiptar.

RADIO EVROPA E LIRË
Pavarësia e Kosovës për popullin e Kosovës është e barabartë me lirinë. Cilat janë refleksionet tuaja për lirinë në një moment si ky?

ISMAIL KADARE
Është një gjë e habitshme ajo që ka ndodhur. Shpallja e pavarësisë së Kosovës ka një jehonë ndërkombëtare që unë nuk e kam parë në këto 20 vjetët e fundit të ketë ndodhur për ndonjë komb apo shtet tjetër.
Kjo tregon që liria është shumë e shenjtë për njerëzit, pavarësisht se mund të ndodhë se popujt që e kanë, e harrojnë që e kanë. Ndaj, popujt kanë dëshirë të dëgjojnë për lirinë, të shohin për lirinë, të mblidhen rrotull një tryeze për lirinë.
Shqiptarët patën fatin t'ia kujtojnë botës ç'është liria, ç'ëshë kjo gjë sublime. Me këtë e shpjegoj unë eksitimin e gjithë mediave botërore nga kjo ngjarje. Kjo ngjarje po ndiqet nga miliarda njerëz, siç nuk është ndjekur kurrë asnjë problem shqiptar. Kjo është një gjë e gëzueshme. Por, kjo është falë asaj sa e shenjtë është liria.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, liria është një proces që duhet mësuar se si të menaxhohet. Çfarë kanë për të mësuar shqiptarët në këtë rast?

ISMAIL KADARE
Jeta në liri është tjetër jetë nga ajo në robëri. Është e vërtetë që liria mësohet, mirëmbahet, menaxhohet si një makinë shumë e komplikuar.
Por, shqiptarët këtë nuk e kanë të vështirë, sepse liria është diçka që përgatitet thellë në ndërgjegje përpara se të vijë. Liria e Kosovës ka vite e vite që është përgatitur në ndërgjegjen shqiptare.

RADIO EVROPA E LIRË
Pak orë para se Kuvendi i Kosovës të shpallte pavarësinë, Kisha Ortodokse Serbe kërkoi të bëhej luftë për të mbrojtur Kosovën. Si e shikoni të ardhmen e Kosovës dhe të rajonit, kur dihet se Serbia nuk ka kërkuar ndjesë për katër luftërat në Ballkan?

ISMAIL KADARE
Ky është një problem që lidhet kryesisht me Serbinë. Mendoj se kërcënime të tilla janë kërcënime fantazmash, koha e të cilave ka kaluar.
Jugosllavia ka marrë një mësim të mirë për gjëra të tilla në të shkuarën dhe nuk besoj se Serbia e sotme, që është vazhdim i një pjese të Jugosllavisë, do vazhdojë të përkundë ëndrrën për të hyrë prapë në aventura që i kanë kushtuar kaq shtrenjtë.
Kam besim që gradualisht pala serbe do kuptojë absurditetin e gjendjes në të cilën ndodhet. Kam parsysh këtu atë gjendjen propagandistike, ku ajo është tërhequr nga udhëheqësit e saj të papërgjegjshëm, si Koshtunica me shokë.
Unë besoj se kjo nuk do vazhdojë gjatë, pasi ka një logjikë në zhvillimin e ngjarjeve dhe Serbia dëmton veten e saj dhe askënd tjetër me këto veprime.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni shkruar për shumë perandori, me të cilat shqiptarët kanë pasur punë, duke filluar nga Perandoria Osmane. Aktualisht si i shihni orientimet dhe aleancat e shqiptarëve?

ISMAIL KADARE
Po të shikojmë orientimin shqiptar dhe serb në një ditë si kjo, është diçka gati e pabesueshme. Orientimi shqiptar ka bërë një kthesë 180 gradë, nga një orientim i gabuar që ishte me pjesën më të prapambetur të botës, kaloi në një orientim të ri me pjesën më të përparuar të botës, që janë njëherësh dhe pjesa më e fortë.
Për një habi të madhe, serbët që kanë qenë në kampin tjetër, ose kanë kujtuar se ishin aty, kanë bërë një kthim pas prej 180 gradësh, për t'u gjetur në kampin më të prapambetur.
Ky kamp vazhdon ende të jetojë me ëndrrat e Luftës së Ftohtë, me ëndrrime shpërnguljesh e me radhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është mesazhi juaj për Kosovën në një ditë si kjo?

ISMAIL KADARE
Mesazhi im nuk mund të jetë veçse i thjeshtë. Kosova ta gëzojë lirinë! Ta gëzosh lirinë është diçka madhështore. Për lirinë, siç thamë në fillim, duhet punuar. Unë kam besim të plotë se populli i Kosovës është thellësisht i ndërgjegjshëm, se ka përpara shumë punë për të bërë. Punë të lodhshme, por të bukura siç janë punët në liri.
XS
SM
MD
LG