Ndërlidhjet

PRESIDENTI RUGOVA TËRË JETËN IA KUSHTOI POPULLIT DHE PAVARËSISË SË KOSOVËS


Presidenti Ibrahim Rugova është personaliteti që tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi popullit dhe pavarësisë së Kosovës, u tha sot në seancën komemorative në Kuvendin e Kosovës, të mbajtur për të nderuar tashmë presidentin e ndjerë. Seanca ka filluar me një minutë heshtje dhe u zhvillua në prani të përfaqësuesve të familjes Rugova, zyrtarëve më të lartë vendorë dhe atyre ndërkombëtar si dhe mysafirëve të shumtë. Duke u përkulur para fotografisë së presidentit Rugova, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci foli mbi jetën dhe veprën e Ibrahim Rugovës. Daci tha se Rugova u shkëput nga jeta e një intelektuali të shquar për të marrë nën udhëheqje popullin e Kosovës në rrugën drejt shtetit të lirë e të pavarur.
“Filozofia e urtë dhe origjinale e presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, krijoi një lëvizje, krijoi një organizim që ishte shteti ynë demokratik nën jë shtet të egër e diktatorial që krijoi të gjitha strukturat e mvetësishme që funksiononin në të gjitha fushat e jetës”, tha Daci.
Kosova nën lidershipin e presidentit Rugova tha Nexhat Daci, mori përkrahjen ndërkombëtare për çështjen e drejtë të saj, kurse populli i Kosovës është i sigurt që do ta vazhdojë rrugën për lirinë dhe pavarësi.
“Kosova është krenare që e pati Ibrahim Rugovën. Kosova është e sigurt në të ardhmen e saj sepse e ka veprën e presidentit dr.Ibrahim Rugova. Le të pushoj i qetë në parajsë presidenti ynë. Zoti e bekoftë familjen Rugova që Kosovës ia fali lirinë e saj”, theksoi kryeparlamentari Nexhat Daci.
Më pas, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen-Petersen tha se e ndante dhimbjen me familjen, qytetarët dhe Kuvendin e Kosovës për presidentin Rugova. Net ë gjithë ishim të vetëdijshëm për sëmundjen e presidentit Rugova, por lajmi i djeshëm megjithatë ishte tronditje e madhe për ne”, tha Petersen.
“Ibrahim Rugova ishte një kreator i politikës së Kosovës për një kohë të gjatë, sa që tash për të gjithë ne është vështirë ta paramendojmë Kosovën dhe politikën kosovare pa të”, tha Jessen-Petersen. Shefi i UNMIK-ut tha se ishte i bindur që nga takimi i tij i parë me presidentin Rugova në vitin 1996 që Rugova tërë jetën e vet ia ka kushtuar lirisë së Kosovës. Vizioni i tij, tha Petersen është qëllimi i shumicës së popullatës së Kosovës dhe i Kuvendit gjithashtu.
Me një fjalim rasti për të përkujtuar veprën e presidentit Rugova, në foltoren e Kuvendit u paraqit dhe kryeministri Bajram Kosumi. Ne i kemi borxh njeriut të paqes e pavarësisë, për ta bërë shtetin e Kosovës, amanetin e tij më të shenjtë e më të madh, tha kryeministri Kosumi.
“Presidenti Rugova ishte bartës i proceseve në Kosovë, ndërtues i institucioneve dhe njeri i durimit. Është cilësuar si njeri të pavarësisë dhe, me të drejtë, emri i Tij është i lidhur pashkëputshëm me pavarësinë e Kosovës”, tha Kosumi.
Pas seancës komemorative, shefi i UNMIK-ut Jessen-Petersen ka zhvilluar një takim të shkurtë me kryeparlamentarin Nexhat Daci. Petersen tha se këto ditë i tërë përqendrimi i autoriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare është që të sigurohet mbarëvajtja e ceremonisë së varrimit të presidentit Rugova në mënyrë të denjë siç e ka merituar: “Mendoj se njëherë duhet ti lëmë anash çështjet politike, sepse do të ketë kohë për të gjithat. Tani ne duhet ta ndihmojmë familjen Rugova dhe institucionet për ti dhënë lamtumirën presidentit Rugova”, tha kryeadministartori Petersen, duke iu referuar postit të presidentit dhe çështjeve tjera të organizimit të institucionit të presidentit pas Rugovës. Ndërsa duke iu referuar implikimeve që mund të ketë vdekja e Rugovës në procesin e negociatave dhe ambicieve të Kosovës për pavarësi, Petersen tha se të gjithë e dinë ëndrrën e Ibrahim Rugovës dhe nëse politikanët kosovarë do të jenë unik atëherë ajo ëndërr shumë shpejt edhe do të realizohet.

Zijadin Gashi, Prishtinë.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG