Ndërlidhjet

RUGOVA - HAVELI I KOSOVËS


Shtypi ndërkombëtar për vdekjen e presidentit Rugova

Rolin që presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, do të vazhdojë ta ketë në Kosovë edhe pas vdekjes së tij do të jetë roli që i është përshtatur më së shumti: baba simbolik i shqiptarëve, shkruan në numrin e sotëm e përditshmja amerikane “Wall Street Journal”. Gazeta shkruan se të trashëguarit e politikës së tij të moderuar dhe kundërshtimit ndaj dhunës politike është vecanërisht e rëndësishme tash për Kosovën. Duke e zgjedhur atë për president në çdo zgjedhje ku Ibrahim Rugova ka garuar, votuesit në Kosovë kanë shprehur besimin e tyre në bisedime, dhe nëse kosovarët dëshmojnë se këto vlera e definojnë më së miri vetë Kosovën, atëherë ky vend meriton të jetë një prej shteteve të pavarura të Evropës, shkruan “Wall Street Journal”.
“International Herald Tribune” shkruan se vendosmëria e palëkundur e presidentit Rugova për të kërkuar pavarësinë pa e shfrytëzuar dhunën, ka bërë që ai të gëzojë përkrahjen ndërkombëtare në periudhën kur Serbia tashmë ishte përfshirë në luftërat e Kroacisë dhe Bosnjës. Gazeta citon edhe shefin e parë të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Bernard Kouchner, të ketë thënë se mesazhi i zotit Rugova ka qenë gjithnjë i pandryshueshëm. “Ka qenë gjithmonë i qetë, asnjëherë nuk e ka ngritur zërin”, ka thënë Bernard Kouchner.
“Kosova nderon heroin e pavarësisë” është titulli i së përditshmes londineze “The Guardian”, në artikullin e së cilës thuhet se Dr.Rugovën do të jetë pothuajse e pamundur për ta zëvendësuar. Gazeta shkruan se vdekja e tij do të krijojë një vakum që mund të ndikojë në shtyrjen e pavarësisë së Kosovës. Udhëheqësit ndërkombëtarë kanë qenë të shpejtë në nderimet që i kanë udhëheqjes së presidentit Rugova, duke shprehur brengosjen e tyre se vdekja e tij nuk do ta pengojë përparimin që duhet bërë për të arritur deri tek zgjidhja përfundimtare.
“Hospodarske Novini”, një gazetë e përditshme çeke shkruan se shqiptarët e Kosovës Rugovën e kanë konsideruar si Havelin e tyre, duke e çmuar para së gjithash si një lider simbolik. Vdekja e presidentit Rugova nuk ka mundur të ndodhë në një çast më të vështirë dhe mund të ndikojë negtivisht në rrjedhën e bisedimeve për statusin. Dr.Rugova në Kosovë ishte lideri i vetëm politik që e kishte kuptuar atë që tash e kanë kuptuar shumë të tjerë në vendet fqinje të Ballkanit, faktin se nuk duhet folur për dhunën, por për bashkëpunimin, shkruan “Hospodarske Novini”.
Gazeta “The Independent” shkruan se zoti Rugova, i njohur si Gandi i Ballkanit, ka vdekur në një periudhë delikate për Kosovën. Vdekja e presidentit, shkruan kjo gazetë, shënon edhe fundin e një epoke në Kosovë, shumica e qytetarëve të së cilës besojnë pa të nuk do të kishte aq shumë përparime.
“Zoti Rugova nuk ka arritur ta shohë jetësimin e ëndrrës së tij për pavarësinë e Kosovës, megjithëse ai ka mbijetuar ta shohë fillimin e procesit diplomatik që do të çojë deri tek një formë e pavarësisë në fund të këtij viti”, shkruan e përditshmja tjetër “Financial Times”. Gazeta citon shefin e administratës ndërkombëtare, Soren Jessen-Petersen të ketë thënë se “bisedimeve u është dhënë drejtimi se në fund ato duhet të shkojnë drejt njohjes së vullnetit të shumicës”.
“New York Times” ndërkaq shkruan se zoti Rugova ka përfaqësuar shpresën e dy milionë shqiptarëve për t’u pavarësuar nga Serbia. Gazeta shkruan se paraqitja akademike e z.Rugova dhe vendosmëria e tij për një politikë paqësore përballë represionit të vazhdueshëm, ka bërë që ai të shndërrohet në një figurë legjendare.
XS
SM
MD
LG