Ndërlidhjet

AKM: TREPÇA SË SHPEJTI ME ADMINISTRATOR TË RI


Albana Isufi, Prishtinë

E ardhmja e Trepçës pritet të sqarohet me emërimin e një administratori, i cili do ketë për detyrë të adresojë çështjet lidhur me borxhet, me investimet, të punësuarit dhe pronësinë e Trepçës. Ky administrator do të përgatisë kështu terrenin për privatizimin e kompleksit metalurgjik më të madh në Kosovë.
Zëvendësdrejtori i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, Ahmet Shala, thotë se është e domosdoshme emërimi i një administratori, i cili do ta mbrojë Trepçën nga paditë e shumta të kreditorëve, të cilët pretendojnë se Trepça u ka borxh.
“Nuk duhet lejuar që ndonjë gjykatë këtu apo atje, në Kosovë, rajon apo kudo, të marrë vendime dhe konform të drejtës ndërkombëtare të vijë dhe të bllokojë xhirollogaritë, apo të shesë asetet e caktuara.”
Mirëpo, Shala thotë se gjendja e moratoriumit, sipas së cilës Trepça është e mbrojtur nga çdo vendim i çfarëdo gjykate, nuk mund të vazhdojë përherë.
“Nuk mund t’u themi kreditorëve apo edhe punëtorëve që ndoshta Trepça u ka mbetur borxh, dhe që nuk mund t’i realizoni të drejtat tuaja deri në pakufi, sepse Trepça tash s’ka para. Por duhet caktuar një periudhë. E kemi shpallur moratoriumin, ju mund ta ndalni gjykatën të mos ekzekutojë, por duhet ta caktoni një arbitrazh.”
Shala thotë se administratori do të jetë një figurë që duhet të fitojë besimin e të gjitha palëve që janë të përfshira në kompleksin metalurgjik të Trepçës.
“Administratori nuk ka shkop magjik. Do të jetë një punë shumë e rëndë e administratorit apo arbitrazhit, derisa të vijë deri te dëgjimi e shikimi i argumenteve për të ardhur deri të një konstatim se cilat kërkesa apo ankesa janë valide.”
Deri tani janë katër kandidatë që kanë aplikuar për të marrë postin e administratorit. Një panel i përbërë nga zyrtarë të qeverisë dhe të administratës ndërkombëtare do t’i dërgojë rekomandimet për kandidatët Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme, e cila do të përcaktohet për fituesin. Ndërkohë, administratori, sipas zotit Shala, nuk ka për qëllim vetëm mbrojtjen e Trepçës nga gjykatat.
“Qëllimi i fundit i këtij administratori nuk është të administrojë Trepçën, por ta përgatisë Trepçën për privatizim.”
Administratori mund të kërkojë që të anulohen transaksionet e para dhe pas konfliktit, përkatësisht nga 22 marsi i vitit 1989 deri në marrjen e vendimit për vënien e Trepçes nën administrimin e AKM-së. Këtë do ta bëjë nëse gjen dëshmi se me këto transakcione është dëmtuar Trepça, punonjësit apo kreditorët e saj.



XS
SM
MD
LG