Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në opozitë, Lumir Abdixhiku, ka thënë se tani po krijohet një gjendje e cila ia pamundëson vendit të dalë nga kriza politike dhe institucionale që ka goditur atë për pothuajse dy vjet, pasi disa deputetë të partisë së tij kundërshtuan haptazi një marrëveshje për presidentin e ri të vendit.
Abdixhiku i bëri këto komente pasi e takoi kryeministrin në detyrë dhe udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të mërkurën në mbrëmje.
Takimi i tyre vjen pasi gjashtë deputetë të LDK-së e kundërshtuan edhe publikisht kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të ri të Kosovës, duke e lëkundur marrëveshjen me LVV-në, e arritur të hënën.
“Fatkeqësisht, me aq sa po shoh, me qëndrimet e bëra publike ne po krijojmë një situatë të pamundësisë numerike për të dalë nga kriza”, tha Abdixhiku për gazetarë, pas takimit me Kurtin.
Kurti nuk foli për media pas takimit.
I pyetur se çfarë u bisedua në këtë takim, i pari pas marrëveshjes tashmë të brishtë, Abdixhiku theksoi se ishte “një takim i rregullt” pas zhvillimeve në dy partitë ditët e fundit.
“Siç e do rendi, kur kemi procese diskutuese duhet të njoftojmë zyrtarisht njëri-tjetrin për zhvillimet partiake. Dhe, këtë e bëra. Atë që ka ndodhur dje, e njoftova Kurtin dhe ai më njoftoi për zhvillimet në kryesinë e VV-së dhe të Grupit Parlamentar”, shtoi Abdixhiku.
Të dy partitë mbajtën takime të brendshme të martën, pasi gjashtë deputetët e LDK-së, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri, thanë se nuk e mbështesin kandidaturën e Sejdiut për presidentin e ardhshëm të Kosovës.
Që të dy, Kurti dhe Abdixhiku, i kanë fajësuar këta gjashtë deputetë se duan ta çojnë vendin në zgjedhje.
Kundërshtimi i tyre bën që marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së për presidentin të jetë e pamjaftueshme për zgjedhjen e tij në Kuvendin e Kosovës.
Nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.
LVV-ja ka 53 mandate, ndërsa LDK-ja 18.
Por, pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve, sipas Abdixhikut, vetëm 12 deputetë të LDK-së janë të gatshëm ta mbështesin Sejdiun.
Edhe nëse kësaj llogarie i shtohen deputetët e komuniteteve joserbe që kanë bashkëpunuar me LVV-në, numri mbetet nën pragun e nevojshëm.
Partitë e tjera opozitare, Partia Demokratike e Kosovës me 22 vende, dhe Aleanca me 7, kanë hedhur poshtë bisedimet me Kurtin për presidentin e ri.
Për shkak të mospajtimeve mes partive parlamentare për pasardhësin e Vjosa Osmanit, Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme në qershor.
Dhe ajo rrezikon të mbajë sërish zgjedhje, që do të ishin të katërtat parlamentare në dy vjetet e fundit, nëse nuk zgjidhet presidenti i ri deri në fillim të shtatorit.
Vendi është me ushtruese të detyrës së presidentit, Albulena Haxhiun, qëkurse Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në prill.
Haxhiu, sipas Kushtetutës mund ta ushtrojë këtë post vetëm për gjashtë muaj – pra deri më 4 tetor.
Akti më i lartë juridik në vend nuk ka paraparë e çfarë ndodh nëse përfundon kjo periudhë dhe vendi s’ka president të ri.