Ndërlidhjet

Talibanët ua mohojnë vajzave të drejtën për të skijuar


Farahnaz Mohammadi, nxënëse e klasës së 10-të, thotë se prej dy vjetësh pushteti taliban e privoi nga skijimi. 22 shkurt 2023.
Farahnaz Mohammadi, nxënëse e klasës së 10-të, thotë se prej dy vjetësh pushteti taliban e privoi nga skijimi. 22 shkurt 2023.

Malet madhështore në provincën qendrore në Bamiyan njihen si kryeqyteti i skijimit të Afganistanit. Por, për shkak të një ndalimi të ri nga talibanët, gratë dhe vajzat afgane nuk janë më të mirëseardhura në këtë qendër skijimi.

"Ndihesha e lumtur dhe e lirë", thotë 16-vjeçarja Elina Hussaini për përvojat e saj duke garuar poshtë pistave të Koh-e Baba, një qendër lokale e skijimit në Bamiyan.

Por, si shumica e aktiviteteve sportive, skijimi tani është vetëm një kujtim për klasën e nëntë, si dhe vajzat dhe gratë e tjera afgane, pas vendimit të fundit të talibanëve për ta ndaluar atë.

Dimri i dytë në Afganistan, që kur grupi ekstremist i linjës së ashpër mori pushtetin, është dëshmuar të jetë veçanërisht i ashpër për skiatoret si Hussaini, pasi talibanët kanë vazhduar të rivendosin shumë nga kufijtë mbi të drejtat dhe aktivitetet e grave që imponoi në mënyrë famëkeqe gjatë qëndrimit të tyre herën e parë në pushtet, nga 1viti 996 deri në 2001.

Teksa talibanët e kanë rindërtuar ngadalë por me siguri Emiratin e tyre Islamik, ata ua kanë ndaluar vajzave dhe grave arsimimin dhe punësimin, si dhe ua kanë kufizuar lirinë e lëvizjes dhe mënyrën se si ato duhet të shfaqen në publik.

Ndalimi i skijimit është i fundit në mesin e aktiviteteve sportive që u mohohen vajzave dhe grave.

“Tani jemi të kufizuara në shtëpitë tona”, tha Hussaini për Radio Azadi të Radios Evropa e Lirë.

Për të kaluar kohën, pasi iu ndalua shkollimi dhe marrja pjesë në aktivitete sportive, Hussaini po mëson qëndisje nga nëna e saj.

Pasi iu ndalua skijimi, Hussaini po mëson qëndisje nga nëna e saj.
Pasi iu ndalua skijimi, Hussaini po mëson qëndisje nga nëna e saj.

Farahnaz Mohammadi, një nxënëse e klasës së 10-të, e cila dikur ëndërronte të bëhej skiatore profesioniste, pajtohet me atë që thotë Hussaini dhe rreth 50 kolege skiatore femra në rajonin e Bamiyan.

“Është shumë e mërzitshme dhe torturuese”, tha Mohammadi për Radio Azadi. “Talibanët na kanë privuar nga arsimi dhe koha e lirë”.

Në Bamiyan, zyrtarët talibanë konfirmuan ndalimin e skijimit për vajza dhe gra.

"Gratë atlete janë këtu, por atyre nuk u lejohet të praktikojnë ski në male”, tha kreu krahinor i Drejtorisë së Përgjithshme të Edukimit Fizik dhe Sportit, Ziauddin Begzad.

Talibanët nisën t’ua ndalojnë sportet grave vetëm disa javë pas ardhjes në pushtet në gusht 2021, duke detyruar shumë gra të sporteve profesioniste, por dhe amatore, që të vazhdojnë stërvitjen e tyre në fshehtësi ose të largohen nga Afganistani.

Disa kanë gjetur mundësi për të vazhduar stërvitjet e tyre jashtë vendit.

Ekipi i futbollit i vajzave në Afganistan u shpërbë kur anëtaret e saj u larguan në Australi pasi talibanët u kthyen në pushtet.

Por, Federata e Futbollit jashtë vendit siguroi mbështetjen e FIFA-s në rivendosjen e së drejtës së saj për të përfaqësuar Afganistanin në gara, dhe këtë javë federata njoftoi se së shpejti do të mbante trajnim për ekipin kombëtar të vajzave.

Ndalimi i aktiviteteve sportive për vajzat dhe gratë nga ana e talibanëve ka arritur edhe në aktivitetet më rutinore. Në nëntor, për shembull, talibanët ua ndaluan vajzave dhe grave që t’i përdorin palestrat publike dhe i inkurajuan ato që donin të ushtronin, që këtë ta bënin në shtëpi.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) paralajmëroi se mund të heqë dorë nga bashkëpunimi me Afganistanin, derisa talibanët nuk u japin "qasje të sigurt dhe gjithëpërfshirëse" vajzave dhe grave atlete dhe gjithashtu t’i lejojnë ato që të marrin pjesë në aktivitete sportive.

Përgatiti: Erjonë Popova
XS
SM
MD
LG