Ndërlidhjet

Talibanët marrin nën kontroll një qytet të madh afgan


Personeli afgan i sigurisë arrin në zonën ku u vra drejtori i Qendrës së Informimit të Qeverisë afgane, Dawa Khan Menapal, në Kabul, të premten, më 6 gusht 2021.
Personeli afgan i sigurisë arrin në zonën ku u vra drejtori i Qendrës së Informimit të Qeverisë afgane, Dawa Khan Menapal, në Kabul, të premten, më 6 gusht 2021.

Zyrtarët afganë thanë se talibanët kanë marrë nën kontroll kryeqytetin e parë të një province, që prej se nisën ofensivën e tyre, pas nisjes së tërheqjes së trupave ndërkombëtare nga Afganistani.

Qyteti Zaranj, që gjendet në provicën jugperëndimore të Nimrozit, është marrë nga talibanët, thanë për Radion Evropa e Lirë zyrtarët lokalë dhe anëtarët e këshillit provincial.

Disa zyrtarë lokalë, që folën në kushte anonimiteti, thanë se qyteti me rreth 31 mijë banorë ra nën kontrollin e militantëve talibanë pa luftë. Ndërkaq, disa zyrtarë të tjerë thanë se luftimet mes forcave qeveritare dhe militantëve po zhvillohen në disa pjesë të qytetit.

Zyrtarët lokalë tha se disa banorë janë nisur drejt kufirit për në Iran.

Marrja nën kontroll e këtij qyteti vjen pas njoftimit se në Kabul është vrarë kreu i Qendrës së Informimit të Qeverisë afgane, Dawa Khan Menapal.

Vrasja e tij është incidenti i fundit i talibanëve që pati në shënjestër zyrtarët e qeverisë, teksa talibanët po vazhdojnë ofensivën e tyre edhe në qytete të tjera të mëdha përfshirë Heratin, Kandaharin dhe Lashkar Gahin.

Militantët talibanë tani kanë nën kontroll pjesë të mëdha të shtetit dhe po vazhdojnë luftimet me forcat qeveritare afgane.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabiullah Mujahid, mori përgjegjësinë për vrasjen e Menapalit.

Luftimet në Afganistan janë intensifikuar prej 1 majit, kur Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera, zyrtarisht filluan të tërheqin trupat e tyre nga ky shtet. Tërheqja e trupave pritet të përfundojë gjatë këtij muaji.

XS
SM
MD
LG