Ndërlidhjet

AGK kërkon ambient të sigurt për gazetarët


Prishtinë, 3 maj, 2021.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të respektojnë fjalën e lirë dhe të krijojnë një ambient të sigurt, demokratik dhe të lirë për ushtrimin e profesionit të gazetarit.

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias, Leonora Dalipi, anëtare në këtë asociacion, tha se në Kosovë është rritur numri i rasteve të raportimit për pengim në punë, ofendime dhe shantazhe.

Ndërkaq, në një dokumentar që u shfaq në sheshin kryesor të Prishtinës, u tha se gjatë këtij viti në AGK janë raportuar katër kërcënime, një sulm ndaj gazetarëve, si dhe një sulm ndaj organizatave mediale.

“Në vitin 2020, ishin gjashtë kërcënime me jetë, 11 kërcënime të tjera, katër sulme dhe tre kërcënime dhe sulme ndaj organizatave mediale. Kurse, në vitin 2019, në AGK ishin të regjistruara pesë kërcënime me jetë, tetë kërcënime të tjera, shtatë sulme fizike dhe një kërcenim ndaj organizatave mediale”, u tha në dokumentarin e përgatitur nga AGK-ja.

“Fatkeqësisht, nga viti në vit shtohen atakimet në forma të ndryshme në drejtim të gazetarëve. Censura, vetë-censura dhe varësia financiare e mediave vazhdojnë të ndikojnë në të bërit gazetari objektive”, tha Dalipi në një konferencë për media.

“Zvarritja e proceseve gjyqësore të sulmeve ndaj gazetarëve dhe dënimet simbolike, për të mos thënë qesharake, vazhdojnë të mbesin pengesa kryesore në ushtrimin e profesionit”, shtoi Dalipi.

Sipas saj, dënimet që shqiptohen, shpesh konsiderohen “inkurajuese” për të penguar fjalën e lirë.

Në raportin e fundit të organizatës ndërkombëtare Reporterët pa Kufij, që u publikua më 20 prill dhe vlerësoi lirinë e shtypit, Kosova u radhit në vendin e 78-të, përkatësisht tetë pozita më keq se vitin paraprak.

XS
SM
MD
LG