Ndërlidhjet

Për 9 muaj, 90 të vdekur në aksidente trafiku


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Rrugët e Kosovës vazhdojnë të marrin jetë njerëzish. Gjatë këtij viti, për periudhën janar-shtator, aq sa ka të dhëna Policia e Kosovës, në aksidentet në komunikacion kanë humbur jetën 90 persona. Prej tyre 35 janë shoferë, 38 janë pasagjerë, ndërsa 17 janë këmbësorë.

Në këto statistika nuk është përfshirë edhe rasti i fundit i një aksidenti në Prishtinë, kur një automjet kishte goditur dy këmbësore, ku si pasojë një grua 30-vjeçare humbi jetën, kurse një tjetër është në gjendje të rëndë si pasojë e lëndimeve të marra.

Shkaqet më të shpeshta që çojnë në aksidente janë mosrespektimi i shenjave të komunikacionit, mospërshtatja e ngasjes së makinave me kushtet në rrugë dhe kushtet atmosferike si dhe përdorimi i telefonave gjatë ngasjes, si dukuri që po përsëritet viteve të fundit gjithnjë e më shumë.

*Video nga arkivi: Gjobat në trafik

Gjoba të reja në trafik
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:38 0:00

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik e ka cilësuar si alarmante gjendjen në komunikacion dhe numrin e madh të aksidenteve, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen qindra persona.

“Deri tani është ndërmarr shumë pak në parandalimin e tyre”, thuhet në një komunikatë të këtij Instituti, ku potencohet se faktori njeri është shkaktari më i shpeshtë i këtyre aksidenteve.

“Nuk janë duke u respektuar rregullat e përgjithshme në trafik, nga manipulimi i pasigurt me automjet, tejkalimi i shpejtësisë, mosmbajtja e distancës, mosrespektimi i shenjave të trafikut dhe mospërshtatja e kushteve të rrugës përdorimi i shpeshtë i telefonave mobil, vozitja nën ndikimin e alkoolit, substancave narkotike...”, theksohet në këtë komunikatë.

Ky Institut thekson se “qytetarët e Republikës së Kosovës janë të kërcënuar nga aksidentet e trafikut rrugor, e sidomos është brengosës fakti se ndër viktima ka të përfshirë fëmijë”.

Daut Hoxha zyrtar për informim në Policinë e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se që nga data 24 korrik, kur policia krijoi task-forcën për parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor, është rritur numri i dënimeve të shqiptuara.

Në kuadër të aktiviteteve parandaluese, Policia e Kosovës ka angazhuar edhe patrullime policore me automjete civile si dhe njësi policore që operojnë me dron.

*Video: Policia patrullon me dron

Policia patrullon me dron
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:29 0:00

Me gjithë këto masa të ndërmarra, numri i aksidente nuk ka shënuar rënie.

“Policia e Kosovës në fushëveprimin e saj si në aspektin parandalues dhe në atë aktiv operacional ka punuar në vazhdimësi për një siguri më të madhe në trafikun rrugor. Qëllimi i këtyre angazhimeve policore ka qenë reduktimi i aksidenteve në trafik e sidomos i atyre me pasoja në njerëz”, tha Hoxha.

“Raportimet për humbjen e jetëve të njerëzve kanë qenë shqetësuese dhe njësitet policore kanë qenë të fokusuara jo vetëm në aspektin ndëshkues, por edhe në nevojën e angazhimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të të gjithë mekanizmave tjerë institucionalë që kanë rol dhe ndikim në vetëdijesimin e pjesëmarrësve në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve, por duke përfshirë edhe këmbësorët”, tha Hoxha.

Qytetarët thonë se Policia e Kosovës, ndonëse po ndërmerr aksione për parandalimin e aksidenteve, këto aksione po zgjasin shumë pak dhe nuk po tregohen efikase sa duhet.

Fisnik Ramadani, vozitës me profesion i tha Radios Evropa e Lirë se krahas ngasësve të automjeteve, edhe këmbësorët duhet të kenë kujdes, madje edhe nëpër vendkalimet për këmbësor, ku jo rrallë ka ndodhur të jenë goditur nga veturat për shkak të mosrespektimit të këtyre shenjave të komunikacionit.

“Duhet me qenë më të kujdesshëm shoferët, pasi që pasojat më të mëdha janë telefonat gjatë vozitjes. Dje kam pasur një aksident të vogël, dhe kur dola nga vetura, shoferi që më goditi prapa në veturë, më tha se nuk të pashë pasi isha në telefon. Ai ishte i sinqertë dhe tregoi arsyet e aksidentit”, tha Fisnik Ramadani.

*Video nga arkivi: Pakujdesia që çon në vdekje

Pakujdesia që çon në vdekje
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:13 0:00

“Por edhe këmbësorët janë të pa kujdesshëm, pasi që mendojnë se në zebra gjithmonë kanë përparësi. Mendoj se ata ia vlen që të ndalen pak dhe të shohin nëse ka vetura duke qarkulluar”, thotë ky qytetar.

Sa i përket policisë, ai thotë se aksionet policore po zhvillohen vetëm brenda periudhave të shkurtëra kohore, andaj edhe nuk po prodhojnë rezultate.

“Gjithë ditën jam nëpër rrugë pasi jam shofer me profesion dhe shpeshherë në vendet ku duhet të jetë policia, ata nuk janë”, tha Ramadani.

Në anën, tjetër Basri Lenjani, drejtor i Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës bëri të ditur se ngritja e task- forcës në nivel shtetëror mund të ndikojë që të rrisë vetëdijen e njerëzve që janë pranë timonit.

“Por, pa bashkëpunim të ndërsjellë në mes palëve nuk mund të mendojmë ne uljen e aksidenteve në komunikacion pasi Klinika Emergjente është dera e parë që i pret të aksidentuarit dhe e ngarkojnë shërbimin, andaj bashkëpunimi është i nevojshëm. Mendoj se kamerat e sigurisë do duhej të ishin në cep të çdo rruge dhe të masin shpejtësinë derisa edhe dënimet rigoroze”, thotë Lenjani.

Tutje, Lenjani tregon edhe në lidhje me statistikat e Klinikës Emergjente në lidhje me rastet e të aksidentuarve në komunikacion, që dërgohen në këtë klinikë.

“Për periudhën janar-tetor në Klinikën Emergjente kanë kërkuar ndihmë mjekësore 37 mijë raste. Duhet potencojmë se kemi rritje të numrit të të lënduarve në komunikacion. Për këtë periudhë kanë qenë 3.756 raste që kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga aksidentet”, thotë ai.

“Kurse vdekje në Klinikën Emergjente kanë qenë gjithsej, me këmbësoren e fundit 25 raste, si pasojë e aksidenteve në komunikacion”, tha Lenjani.

Me qëllim të parandalimit dhe zvogëlimit të rasteve të shkeljeve ligjore në trafik, këtë vit janë ashpërsuar masat ndëshkuese, por statistikat nuk kanë treguar ndonjë përmirësim edhe pas këtyre masave shtrënguese.

Ndryshe, Ligji i ri për trafikun rrugor që nga viti 2016 ka hyrë në fuqi, derisa zyrtarë të kësaj fushe kanë deklaruar se përveç shqiptimit të pikëve negative, dënimet për shkelësit e rregullave të trafikut do të jenë nga 300 deri në 900 euro, dhe në raste të caktuara edhe me marrjen e patentë shoferit.

XS
SM
MD
LG