Ndërlidhjet

Sveçla: Në veri zbulohet sasi e madhe armatimi


Armatimi që u kap në Zveçan, sipas autoriteteve të Kosovës.
Armatimi që u kap në Zveçan, sipas autoriteteve të Kosovës.

Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të madhe armatimi në veriun e Kosovës, bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sipas tij, aksioni u krye në Zveçan – komunë në veri e banuar me shumicë serbe – ku u bastis një shtëpi, që sipas Sveçlës përdorej si “bazë për armatimin e veriut të Kosovës”.

“Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe”, tha Sveçla.

Policia e Kosovës ka prezantuar armatimin që ka thënë se ka kapur në Zveçan.
Policia e Kosovës ka prezantuar armatimin që ka thënë se ka kapur në Zveçan.

Ai tha se në aksionin e Policisë së Kosovës u gjetën armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksplozivë.

“Në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it”, tha Sveçla duke shtuar se “veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit”.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, i tha Radios Evropa e Lirë se autoritetet gjetën edhe granata dore, municion, gëzhoja kallashnikovi dhe pajisje të tjera.

Ai po ashtu konfirmoi se nuk është arrestuar askush, por ka të dyshuar për këtë rast.

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet e rendit kryejnë aksione kundër kontrabandës në veri.

Rasti i fundit ishte në gusht, kur Policia e Kosovës kishte konfiskuar mbi 1.200 fishekë në fshatin Rudine të Zveçanit.

Një pjesë e pajisjeve që Policia e Kosovës ka njoftuar se ka kapur në veri.
Një pjesë e pajisjeve që Policia e Kosovës ka njoftuar se ka kapur në veri.

Përveç aksioneve kundër mallrave kontrabandë, autoritetet në të kaluarën kanë kryer aksione në veri edhe kundër kriptovalutave, mihja e të cilave është ilegale në Kosovë.

Situata në veri të Kosovës në fund të majit u tensionua, pasi banorët lokalë kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë.

Kryetarët u zgjodhën në prill, në votimet që u bojkotuan nga popullata serbe.

Hapat drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës

Marrëveshja ndërmjet BE-së dhe Kosovës për zbatimin e deklaratës së 3 qershorit 2023 të 27 vendeve të BE-së

10 korrik 2023

HapiVeprimiKoha
1

Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t'u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.

Java e parë
2

Policia e Kosovës kryen vlerësime të rregullta të sigurisë bashkë me EULEX-in, dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.

Nga java e parë, në vazhdimësi
3

Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat nveriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.

Nga java e parë, zbatimi sa më parë të jetë e mundur
4

BE-ja do t'i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel, për finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt rrugës për normalizimin e marrëdhënieve, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes.

Java e dytë
Burimi: Qeveria e Kosovës

Pas rritjes së tensioneve, Kosova dhe Bashkimi Evropian në korrik u pajtuan për disa hapa drejt shtensionimit që përfshijnë uljen e pranisë së Policisë së Kosovës në veri dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në këtë zonë.

XS
SM
MD
LG