Ndërlidhjet

Aktakuza për ‘Pronto’, pluhur syve për liberalizim?


Në aktakuzë është përfshirë ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, si dhe 10 persona të tjerë me funksione të larta zyrtare.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për rastin e njohur si “Pronto”, në të cilin janë të përfshirë persona që bartin ose kanë bartur funksione të larta zyrtare, vjen në kohën kur Kosova duhet të dëshmojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si kusht nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave, thonë njohësit e zhvillimeve në Kosovë.

Por, sipas tyre, karakteristikat që përmban kjo aktakuzë, më shumë është, siç e kanë quajtur ata, “hedhje hi syve” ndaj bashkësisë ndërkombëtare, se sa një qasje e sigurt në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale është përfshirë ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, si dhe 10 persona të tjerë me funksione të larta zyrtare. Të pandehurit akuzohen për vepër penale, se kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar ndërmjet vete, për dhënie të privilegjeve dhe përparësive të kundërligjshme për personat, të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se aktakuza i referohet një neni që nuk hyn në kuadër të veprave penale të korrupsionit. Madje, sipas tij, kjo aktakuzë ka amnistuar persona që vazhdojnë të jenë zyrtarë të lartë të Kosovës, e të cilët ishin të përfshirë në rastin e njohur si “Pronto”.

“Aktorët kryesorë, të cilët kanë pasur pushtet, kanë pasur fuqi ekzekutive, për kryerjen e kësaj vepre penale, nuk janë futur fare në këtë aktakuzë, përfshirë këtu edhe presidentin e republikës (Hashim Thaçi), i cili në atë kohë ka ushtruar funksionin e kryeministrit të Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim, më shumë shihet si amnisti ndaj pozitave kryesore në Republikën e Kosovës dhe në anën tjetër, si një aktakuzë sa për t’i hedhur ‘pluhur syve’ popullit dhe bashkësisë ndërkombëtare, se kinse Prokuroria është e pakompromis në luftimin e veprave penale”, thekson Miftaraj.

Kryeprokurori flet për përgjimet...
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:34 0:00

Mendim të ngjashëm ka edhe Artan Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti- Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai shpreh dyshimin se kjo aktakuzë ndërlidhet me kushtin për liberalizimin e vizave për Kosovën - luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Kjo mund të ketë lidhje me procesin e liberalizimit të vizave. Ka pasur presion që të ketë diçka konkrete në këtë lëndë, pikërisht për shkak se videot kanë qenë shumë të qarta dhe është parë se çfarë ndikimi ka pasur në mënyrën e punësimit".

"Por, mund të themi se ndoshta është në njëfarë mënyre, mashtrim i faktorit ndërkombëtar, se kinse diçka po ndërmarrim në këtë rast. Por, jo krejt çka duhet, për shkak se prej përgjimeve, ne kemi parë se aty përmenden shumë emra, përmenden shumë funksionarë të lartë dhe normalisht që është dashur që aktakuza të zgjerohet më tepër edhe në aspektin e njerëzve që kanë qenë të përfshirë”, vlerëson Demhasaj.

Ndryshe, Miftaraj shpreh mendimin se në bazë të asaj që përmban aktakuza, për Prokurorinë, do të jetë e vështirë që aktakuzën ta kalojë në shqyrtimin e dytë apo edhe të ketë aktgjykim dënues.

“Me vetë faktin që këtë vepër penale, në bazë të aktakuzës, e kanë kryer 11 persona, është çudi se si nuk është futur edhe ‘krimi organizuar’, i cili pastaj do të përcaktonte dënime shumë më të ashpra. Në të vërtetë, nëse e shikojmë me kujdes edhe vetë deklaratën që e ka dhënë kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, i njëjti, përmes deklaratave të tij ka thënë që ‘përmes kësaj vepre penale nuk ka dëm material’. Me këtë deklaratë, ai vetëm ka dëshmuar që edhe përkundër faktit që është ngritur kjo aktakuzë, ajo është ngritur vetëm sa për të thënë se është ngritur një aktakuzë e tillë. Kjo aktakuzë nuk lidhet as me vepra penale korruptive, e as me krimin e organizuar”, vlerëson Miftaraj.

Ndërkaq, Demhasaj thekson se moszgjerimi i aktakuzës, lë hapësirën për të dyshuar se ajo është bërë qëllimisht në këtë mënyrë, për të shmangur akuzën për vepra penale më të rënda.

“Pikërisht kjo është, sepse përderisa ne kemi parë disa individë që kanë qenë të përfshirë në këtë ‘treg të punësimit’, është dashur si lloj i krimit të organizuar, për shkak se në momentin kur ka më shumë se dy njerëz që janë të përfshirë në kryerjen e veprave penale, mund të konsiderohet që ka të bëjë edhe me krim të organizuar. Kjo nuk ka ndodhur në këtë rast”, shprehet Demhasaj.

Sidoqoftë, sipas Prokurorisë Speciale, të pandehurit akuzohen për kryerjen e veprës penale, ‘Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje’. Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve të bazuara në përkatësinë partiake dhe në raporte personale.

Në aktakuzë, përveç Grabovcit, janë përfshirë edhe ministri aktual, Besim Beqaj, dhe deputeti Zenun Pajaziti. Gjithashtu, si të akuzuar përmenden edhe dy ish-sekretarë të përgjithshëm, një ish-zëvendësministër, këshilltarë politikë, si dhe drejtorë të ndërmarrjeve publike dhe zyrtarë nga pushteti lokal.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG