Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë në mungesë ndaj 35 të pandehurve për krime lufte në lagjen e Jasharëve në Prekaz më 1998.
Të pandehurit, që sipas Prokurorisë Speciale, u përkasin pozitave të larta komanduese të strukturave të njësive speciale të policisë serbe dhe të njëjtit akuzohen për vrasjen e civilëve.
“Provat e siguruara kanë vërtetuar se në këtë sulm janë vrarë 26 persona civilë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra dhe të moshuar”, tha prokurori Valdet Gashi.
Ndërkaq, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, tha se është konstatuar ngjarjet në Prekaz në mars të vitit 1998 ndodhën "me paramendim" dhe "me përgatitje paraprake.
Prokurori Gashi tha se viktimat civile ishin banorë të lagjes së Jasharëve, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë vetëm për viktima nga familja e ngushtë e Shaban Jasharit.
Ai po ashtu sqaroi se numri i viktimave civile është 26, pasi në të nuk janë përfshirë personat që kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas Gashit, prokuroria bazuar në provat e siguruara për ngjarjet më 5,6 dhe 7 mars 1998 ka arritur të vërtetojë se “cilat njësi të forcave serbe kanë marrë pjesë në sulm, pozicioni prej ku kanë sulmuar, aktivitetet e secilit prej të pandehurve, arsenalin e armëve që janë përdorur dhe dëmet e shkaktuara si në njerëz dhe materiale".
I pyetur se për cilat njësi kanë marrë pjesë në sulmin në lagjen e Jasharëve në Prekaz, prokuori Gashi përmendi disa prej tyre, por shtoi se janë shumë më shumë.
"Departamenti i Sigurisë Publike ka qenë i inkuadruar, mandej Ministria e Punëve të brendshme, Departamenti i Sigurisë Shtetërore dhe në kuadër të Departamentit të Sigurisë Shtetërore ka qenë edhe Njësia për Operacione Speciale e Serbisë. Këtë njësi e ka udhëhequr Millorad Ulemek Legija, i cili e ka pasur për obligim dhe për detyrë, dhe me kërkesën e tij speciale, që ta sulmojë drejtpërdrejtë shtëpinë e Shaban Jasharit", tha Prokurori Gashi.
Kryeprokrurori i Speciales, Blerim Isufaj, tha se aktakuza është punuar me kujdes dhe bazohet në prova, duke theksuar se tani është në kompetencën gjykatës që ta vlerësojë atë.
Ai e vlerësoi si aktakuzë me rëndësi të veçantë dhe tha se është dëshmi e përkushtimit të insttiucionit që ai udhëheq për trajtimin e krimeve të luftës dhe kërkimit të përgjegjësisë penale pavarësisht kompleksitetit të rastit dhe kohës së kaluar nga kryerja e krimeve.
Sipas informacioneve të Prokurorisë Speciale, të gjithë të pandehurit për vrasjen e civilëve në Prekaz janë të gjallë.
Prokurorët gjatë konferencës për media u pyetën po ashtu nëse kanë njohuri nëse ndonjëri prej të pandehurve është pjesë e institucioneve të Serbisë.
"Nuk e kemi këtë informacion, por referuar moshës besoj se shumica nga ta janë të pensionuar", tha Prokurori Gashi.
Më 5, 6 dhe 7 mars, forcat serbe vranë më shumë se 50 persona gjatë sulmit në Prekaz ndaj familjes së heroit të Kosovës, Adem Jashari, një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prokuroria Speciale e Kosovës viteve të fundit ka ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte kundër popullatës civile më 1998/99. Disa raste janë në gjykim dhe disa kanë marrë edhe epilog gjyqësor.
Më herët, ky institucion ka ngritur aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.