Ndërlidhjet

Aktivistit të burgosur rus, 70 vjeç, i kërkohet të luftojë në Ukrainë, thotë grupi i tij


Aktivistit të burgosur rus për të drejtat e njeriut, Oleg Orlov, merr pjesë në një seancë dëgjimore në Moskë, Rusi 27 shkurt 2024.
Aktivistit të burgosur rus për të drejtat e njeriut, Oleg Orlov, merr pjesë në një seancë dëgjimore në Moskë, Rusi 27 shkurt 2024.

Aktivistit të burgosur rus për të drejtat e njeriut, Oleg Orlov, i është kërkuar ta nënshkruajë një formular që thotë se ai është i gatshëm të luftojë në Ukrainë, megjithëse është 70-vjeçar, tha të premten organizata e tij.

Orlov, lider i grupit për të drejtat e njeriut Memorial, i cili e ka fituar çmimin Nobel për Paqe më 2022, u dënua muajin e kaluar me dy vjet e gjysmë burgim për gjoja “përbuzjen e forcave të armatosura”, pasi kishte marrë pjesë në demonstratat kundër luftës dhe e kishte publikuar një shkrim në të cilën tha se Rusia ishte zhytur në fashizëm.

Memorial tha se Orlovit iu kërkua në një qendër paraburgimi, ku është duke u mbajtur tani për tani, ta nënshkruajë formularin i cili thotë se ai është i gatshëm të marrë pjesë në “operacionin e posaçëm ushtarak” të Rusisë në Ukrainë.

Ky grup nuk tregoi se kush i kishte kërkuar saktësisht ta nënshkruajë atë dokument.

Orlovi “pyeti duke qeshur nëse ata e kishin bezdi moshën e tij – këtë vit ai do t’i mbushë 71 vjet. Ata u përgjigjën se nuk i bezdiste asgjë”, tha Memorial.

“Orlov, natyrisht, shkroi: ‘Nuk pajtohem’”.

Dhjetëra mijëra të burgosur rusë janë regjistruar për të luftuar për ushtrinë ruse, ose si mercenarë në Ukrainë, prej se Moska e nisi pushtimin e shtetit fqinj para dy vjetëve.

Nuk është e qartë nëse ftesa për Orlovin ishte serioze, apo kishte për qëllim ta frikësonte atë.

Memorial, i themeluar më 1989 për t’i dokumentuar shkeljet e të drejtave të njeriut në Bashkim Sovjetik, e ka cilësuar rastin gjyqësore kundër Orlovit si tentim “për t’ia mbyllur gojën lëvizjes për të drejtat e njeriut në Rusi”.

Ky grup tha se Olevi po mësohet me jetën në një qeli të vogël së bashku me 10 persona të tjerë dhe se të burgosurit e tjerë po e trajtojnë atë me respekt dhe po i drejtohen me fjalën “batya”, një emër përkëdhelës për babanë.

XS
SM
MD
LG