Ndërlidhjet

Akuzat për sulme seksuale hedhin pasiguri mbi fatin e gjykatësit Kavanaugh


Avokatja e gruas që e akuzoi për sulme seksuale gjykatësin e emëruar për Gjykatën Supreme të SHBA-së, tha se "nxitimi" i Senatit për seancë dëgjimore është "i panevojshëm".

Lisa Banks tha se klientja e saj, Christine Blasey Ford, është e gatshme të bashkëpunojë, porse kërkon "hetim të plotë jopartiak" përpara dëshmisë së saj.

Fordit iu dha kohë deri të premtën për të vendosur nëse do të dëshmojë ose jo në seancën e Komitetit Gjyqësor të Senatit, të caktuar për javën e ardhshme.

Gjykatësi Brett Kavanaugh, 53 vjeç, thotë se akuzat kundër tij, për sulm seksual ndaj Fordit në vitin 1982, janë "krejtësisht të rreme".

Ford tha, fundjavën e kaluar, se Kavanaugh e ka sulmuar seksualisht atë derisa të dy kanë qenë në shkollë të mesme.

Akuzat publike hedhin pasiguri mbi rezultatin e procesit të konfirmimit të Kavanaugh në pozitën e përjetshme të gjykatësit të Gjykatës Supreme.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e mbrojti të emëruarin e tij, duke thënë se e ka të vështirë të imagjinojë se ka ndodhur diçka e tillë.

Trump tha se do të ishte "e pavend" nëse Ford nuk paraqitet para Komitetit për të rrëfyer historinë e saj.

Komiteti Gjyqësor e ka shtyrë votimin për emërimin e Kavanaugh, të paraparë për këtë javë, dhe ka caktuar seancën dëgjimore publike për datën 24 shtator, në të cilën do të dëshmonin edhe Kavanaugh, edhe akuzuesja e tij.

Por, Ford tha në një letër të publikuar të martën se ajo do që FBI t'i hetojë akuzat e saj, përpara se të pajtohet për të dalë para komitetit të Senatit.

Në një letër drejtuar ekipit ligjor të Fordit, kryesuesi i Komitetit Gjyqësor të Senatit, Chuck Grassley, tha se "nuk është roli i FBI-së të hetojë një çështje të tillë si kjo".

"Unë kam caktuar seancën dëgjimore, sepse besoj se kushdo që del me akuza për sulme seksuale, ka të drejtë të dëgjohet. Po ashtu është përgjegjësi e Komitetit që të vlerësojë përshtatshmërinë e një kandidati për Gjykatën Supreme", tha Grassley.

“Senati dhe vetëm Senati është i ngarkuar me verifikimin e të emëruarit të presidentit për Gjykatën Supreme”, theksoi ai.

Grassley tha se i vjen keq që Ford po përballet me kërcënime, por i bëri thirrje asaj që të flasë para komitetit.

Gjykata Supreme në SHBA është shpesh fjala e fundit për ligjet e diskutueshme dhe nëntë gjyqtarët e saj kanë një ndikim të madh në jetën politike amerikane.

Emërimi i Kavanaugh është i dyti i Trumpit prejse është bërë president në janar të vitit 2017.

Korrespondentët thonë se demokratët po e përdorin çështjen për të penguar procesin e konfirmimit të Kavanaugh.

Demokratët dhe të tjerë kanë shprehur shqetësim se Kavanaugh mund të zhvendosë balancën e Gjykatës Supreme në anën e konservatorëve dhe në këtë mënyrë të krijojë ligje të rëndësishme shtetërore për dekadat që vijnë.

Po sipas demokratëve, Trump e ka zgjedhur Kavanaugh bazuar në disa shkrime dhe komente të kaluara që sugjerojnë se ai mund të anohet kah presidenti nëse vjen deri te llogaridhënia para Kongresit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG