Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj ceremonisë me nderime shtetërore të organizuar në Serbi për varrimin e Ratko Mlladiqit, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte.
“Sllobodan Millosheviq është quajtur me të drejtë 'Kasap i Ballkanit' dhe ky kasap ka pasur shumë thika, por Ratko Mlladiq ishte sëpata e tij kryesore, të cilin e glorifikojnë tash Beogradi zyrtar”, shkroi Kurti në Facebook.
Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë në Srebrenicë. Gjykatat ndërkombëtare e kanë cilësuar masakrën si gjenocid.
Kurti kritikoi mënyrën se si institucionet serbe e përcollën Mlladiqin, duke përmendur përdorimin e aeroplanit qeveritar, flamurit shtetëror, pjesëmarrjen e ushtrisë, ministrave, klerikëve dhe orkestrës.
“Nga varrimi i priftit serb Nikolaj Velimiroviq në maj 1991 e deri te varrimi i Ratko Mlladiqit në shtator 2026, Serbia organizon spektakle morbide për gjakderdhje të ardhshme", shkroi ai.
Sipas Kurtit, nderimet ndaj Mlladiqit përbëjnë një ndryshim në mënyrën e trajtimit të së kaluarës në Serbi.
“Dje mohimi ishte fjalë e pamjaftueshme. Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit”, shkroi Kurti.
Akt të turpit moral e politik e ka quajtur nderimin e figurës së Mlladiqit edhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca.
Sipas tij, nderimet ushtarake që ia bëri Serbia “përbëjnë një akt të glorifikimit institucional të një njeriu të dënuar për gjenocid.”
Ceremonia e varrimit të Mlladiqit u dënua edhe nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Costa, të cilët i cilësuan pamjet nga Beogradi si “tronditëse”, ndërsa pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë serbë si “thellësisht për keqardhje”.
Mlladiq u varros më 7 shtator në Beograd, me nderime ushtarake dhe shtetërore.
Ai vdiq më 27 gusht në Hagë, derisa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm, ndërsa u varros në varrezat Topçider në Beograd.
Ceremonia e varrimit u shoqërua me të shtëna nderi dhe fjalime lamtumire, në të cilat u madhërua e kaluara e tij gjatë luftës.
Përkujtimi, shërbesa fetare dhe varrimi në Beograd u shoqëruan me paralajmërime nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se madhërimi i kriminelëve të dënuar të luftës është i papranueshëm.