Ndërlidhjet

Kurti: Nuk kemi hequr dorë nga reciprociteti me Serbinë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se qeveria që ai udhëheq, nuk ka hequr dorë nga vendosja e reciprocitetit të plotë me Serbinë.

Gjatë seancës plenare të së hënës, Kurti deklaroi se për reciprocitetin ka biseduar edhe gjatë takimeve që ka pasur në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Në këto 100 ditët e para (të qeverisjes) ne kemi pasur drejtor të ri të Doganave dhe duhet të përgatitemi sepse nuk mund të dështojmë sërish. Ju e dini, në Kurti 1, ne e vendosëm reciprocitetin dhe qeveria e pastajme e hoqi reciprocitetin. Nëse ne nuk arrijmë ta zbatojmë në plotni reciprocitetin sërish, atëherë ai vdes edhe si koncept”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti tha se Kosova dëshiron që reciprociteti i plotë me Serbinë të bëhet në atë mënyrë që të mos zhbëhet më.

“Reciprocitetin nuk e kemi për hakmarrje, besojmë që është një parim i shëndosh i marrëdhënieve midis shteteve, që derivon nga koncepti i barazisë. Përveç kësaj, reciprocitetin nuk e kemi për të shtuar barriera, por për t’i hequr ato ekzistuese dhe duam ta bëjmë në mënyrën në të cilën nuk zhbëhet më”, tha kryeministri.

Kosova në fund të vitit 2018 kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe. Kjo taksë, në Qeverinë Kurti 1, u zëvendësua me reciprocitet, ku u përfshin një sërë masash tregtare.

Por, qeveria pasuese e udhëhequr nga Avdullah Hoti e hoqi reciprocitetin, masë kjo që u pa nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara si pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

XS
SM
MD
LG