Ndërlidhjet

Kurti voton në Shqipëri


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të dielën ka votuar në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri.

Ndonëse Kurti posedon shtetësinë shqiptare, kjo është hera e parë që një kryeministër i Kosovës voton në Shqipëri.

Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje garon në zgjedhjet në Shqipëri me tre kandidatë të regjistruar si të pavarur.

“Dita e zgjedhjeve është ditë e demokracisë. I ftoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë që sot ta respektojnë atdheun, duke bërë zgjedhjen më të mirë sipas parimeve dhe vlerave që secili i ka. Dita është e bukur, me diell, kështu do të jetë deri në mbrëmje, uroj sa më shumë ditë të bukura dhe mbarësi për Shqipërinë dhe secilin njëri, që ashtu sikurse unë ka pasaportën e Republikës së Shqipërisë”, tha Kurti.

Përkrahës i bashkimit me Shqipëri për një kohë të gjatë të karrierës politike, Kurti pas zgjedhjes së tij si kryeministër i Kosovës, ka hedhur poshtë bashkimin si ide që do ta realizojë gjatë mandatit të tij, duke thënë që Kushtetuta e Kosovës nuk lejon një gjë të tillë.

Ndërkohë, vendimi i tij për të bërë fushatë në Shqipëri ka nxitur kritika nga rivalet e tij politikë në Kosovë, të cilët e kanë quajtur ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë.

Në zgjedhjet e 25 prillit, të drejtë vote kanë 3.6 milionë qytetarë. Zgjedhjet e fundit parlamentare që janë mbajtur në Shqipëri, ishin ato të vitit 2017, ku është regjistruar edhe pjesëmarrja më e ulët historike në zgjedhjet për Kuvendin që nga viti 1991, me 46.76% e qytetarëve që kanë marrë pjesë në këtë proces.

XS
SM
MD
LG