Ndërlidhjet

Aleatët e SHBA-së e paralajmërojnë Iranin, pas sulmeve amerikane ndaj milicive në Irak dhe Siri


Një burrë e shikon një veturë të dëmtuar në një zonë të goditur nga sulmet ajrore amerikane në qytetin irakian, Al-Qaim, 3 shkurt 2024.
Një burrë e shikon një veturë të dëmtuar në një zonë të goditur nga sulmet ajrore amerikane në qytetin irakian, Al-Qaim, 3 shkurt 2024.

Zyrtarët amerikanë besojnë se sulmet ajrore ndaj dhjetëra zonave të lidhura me Iranin në Siri dhe Irak të premten vonë, si hakmarrje për vrasjen e tre ushtarëve amerikanë, ishin të suksesshme dhe paralajmëruan sulme të tjera shtesë.

Aleatët e Shteteve të Bashkuara i mbështetën veprimet e Uashingtonit, ndërsa Irani, Iraku dhe Siria shprehën zemërim në një kohë shqetësimesh për përhapjen e konfliktit në rajonin e Lindjes së Mesme.

Britania e Madhe dhe Polonia lëshuan deklarata në mbështetje të sulmeve amerikane, duke thënë se SHBA-ja ka të drejtë të përgjigjet ndaj sulmeve dhe i paralajmëruan përfaqësuesit e Iranit në rajon se “ata po luajnë me zjarr”.

Teherani tha se i dënon “fuqishëm” sulmet ajrore amerikane.

Iraku njoftoi se e ka thirrur në takim të ngarkuarin amerikan me detyrë në Bagdad, në shenjë proteste.

Raportimet nga Iraku dhe Siria sugjerojnë se rreth 40 njerëz janë vrarë në sulmet në shtatë zona, katra në Siri dhe tri në Irak.

Më herët, Bagdadi tha se 16 trupa të një force shtetërore të sigurisë, e njohur si Forca Mobilizimit të Popullit, e cila përfshin edhe entitete të mbështetura nga Irani, janë vrarë gjatë sulmeve. Paraprakisht kishte thënë se në mesin e të vrarëve ka edhe civilë.

Kryetari i Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani të Madhe, Rami Andulrahman, tha se 23 roje në zonat e shenjëstruara janë vrarë.

Presidenti amerikan Joe Biden kishte paralajmëruar ndërhyrje të pashmangshme, pasi një sulm me dron në bazën amerikane në Jordani i vrau tre ushtarë amerikanë më 28 janar.

Uashingtoni e fajësoi Iranin për këtë dhe për furnizimin me armë të milicive në rajon.

“Përgjigja jonë filloi sot. Do të vazhdojë në vendet dhe në kohët që ne zgjedhim”, tha presidenti amerikan Joe Biden në një komunikatë pak pas fillimit të sulmeve.

“Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt në Lindjen e Mesme, apo diku tjetër në botë. Por, ata të cilët mund të kërkojnë të na bëjnë dëm neve, ta dinë këtë: Nëse e lëndoni një amerikan, ne do të përgjigjemi”, tha Biden.

Të shtunën, një zëdhënës i Qeverisë britanike i dënoi veprimet e dyshuara të Iranit në rajon duke i cilësuar ato si “destabilizuese” dhe e përsëriti miqësinë e “palëkundur” të Londrës me Uashingtonin.

SHBA-ja dhe Irani nuk duan luftë, por “rrezik ka”
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:01 0:00

“Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara janë aleatë të palëkundur”, tha zëdhënësi i cituar nga Reuters.

“Ne nuk do të komentonim rreth këtyre operacioneve, por ne e mbështesim të drejtën e tyre për t’u përgjigjur ndaj sulmeve”, tha ai.

Zëdhënësi shtoi: “Ne për kohë të gjatë i kemi dënuar veprimet destabilizuese të Iranit nëpër rajon, përfshirë mbështetjen e tij politike, financiare dhe ushtarake për një numër të grupeve të milicive”.

Një aleat tjetër i NATO-s, Polonia, e dënoi Iranin dhe grupet që dyshohet se i sponsorizon.

“Përfaqësuesit e Iranit kanë luajtur me zjarr për muaj dhe vite të tëra, tani po digjen”, tha ministri i Jashtëm i Polonisë, Radek Sikorski.

Irani, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të së cilit kanë lidhje të ngushta me disa milici në rajon, i akuzoi Shtetet e Bashkuara për minimin e stabilitetit.

"Sulmi i mbrëmshëm në Siri dhe në Irak është veprim i rrezikshëm dhe gabim tjetër strategjik i Qeverisë amerikane, i cili nuk do të ketë rezultat tjetër pos rritjes së tensioneve dhe destabilitetit në rajon", tha Naser Kanani, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit.

Gjenerali Yehia Rasool, zëdhënës i kryeministrit të Irakut, Shia al-Sudani, e akuzoi SHBA-në se e ka “shkelur” sovranitetin e Irakut me “pasoja katastrofike për sigurinë dhe stabilitetin e Irakut dhe rajonit”.

Pas një sulmi të mëhershëm amerikan në Bagdad, al-Sudani u kishte kërkuar rreth 2.000 trupave amerikane në Irak të tërhiqeshin.

Ministria e Jashtme e Sirisë i cilësoi sulmet ajrore amerikane si rrezik për ndezjen e konfliktit.

“Çfarë ka bërë [SHBA] i shërben ndezjes së konfliktit në Lindjen e Mesme në mënyrë shumë të rrezikshme”, tha Ministria siriane, sipas Reuters.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara “e njoftuan Qeverinë irakiane para e t’i kryenin sulmet”, por nuk dha hollësi.

Ai theksoi se sulmet zgjatën 30 minuta dhe u kryen nga bombarduesit B-1 që kishin fluturuar nga Shtetet e Bashkuara.

Komanda Qendrore e SHBA-së konfirmoi fillimin e sulmeve të premten, duke thënë se forcat e saj “kryen sulme ajrore në Irak dhe Siri kundër forcave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe milicive të lidhura me Iranin”.

“Forcat ushtarake amerikane i goditën më shumë se 85 caqe, me shumë avionë luftarakë për të përfshirë bombardues me rreze të gjata veprimi që fluturuan nga Shtetet e Bashkuara”, tha ajo.

Komanda amerikane tha se goditi komanda kontrolli, qendra, qendra të inteligjencës, predha, raketa, depo të dronëve dhe ndërtesa për furnizim me municion të grupeve të milicive.

Zyrtarët amerikanë thanë se sulmi vdekjeprurës i 28 janarit në Jordani u krye nga milicia e sponsoruar nga Irani, Kataib Hezbollah në Irak, dhe u zotuan se do t’i mbanin përgjegjës ata që kishin gisht në këtë në kohën dhe në vendin që e zgjedh Uashingtoni.

Më 31 janar, ekstremistët e Kataib Hezbollah në Irak njoftuan “pezullimin” e operacioneve kundër forcave amerikane. Ky grup tha se pezullimi nënkupton shmangien e “turpërimit” të Qeverisë së Irakut dhe la të kuptohej se sulmi me dron lidhej me mbështetjen amerikane për Izraelin në luftën në Gazë.

Biden ka qenë nën trysni nga republikanët për të vepruar më ashpër kundër Iranit, pas sulmit në Jordani, por tha në fillim të kësaj jave se “ne nuk kemi nevojë për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme. Nuk po e kërkoj këtë”.

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, tha më 2 shkurt gjatë një vizite në një rajon të varfër në jug të vendit se Teherani nuk po kërkon konflikt ushtarak, por shtoi se do të përgjigjej me forcë ndaj çdo vendi që e kërcënon Republikën Islamike.

“Ne nuk do ta nisim asnjë luftë, por nëse dikush dëshiron të na ngacmojë, do të përballet me një përgjigje të fuqishme”, tha Raisi gjatë vizitës në Provincën Hormozgan, e cila ndodhet në Gjirin e Omanit.

Përleshjet mes forcave amerikane dhe milicive të mbështetura nga Irani po ndodhin në një kohë të një fushate ushtarake katërmujore të Izraelit në Rripin e Gazës kundër grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe Bashkimi Evropian, Hamas, luftëtarët e të cilit i vranë rreth 1.200 njerëz në Izrael, shumica e tyre civilë, më 7 tetor.

Rebelët e grupit jemenas, Huthi, mbështetur nga Irani, po ashtu po kryejnë sulme ndaj anijeve ndërkombëtare të mallrave në rajon, siç thonë, në përpjekje për t’i sulmuar anijet izraelite dhe për të shfaqur përkrahjen e tyre për palestinezët.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të udhëtojë drejt rajonit për rundin e pestë të bisedimeve rreth krizës në këtë rajon nga 3-8 shkurt. Raportohet se ai do t’i vizitojë Arabinë Saudite, Egjiptin, Katarin, Izraelin dhe Bregun e uzurpuar Perëndimor, në përpjekje për ta siguruar lirimin e pengjeve që Hamasi i mori gjatë sulmeve në Izrael në tetor.

Përgatiti: Ekrem Idrizi
XS
SM
MD
LG