Ndërlidhjet

Vuçiq: Serbët në Kosovë nuk do të mbesin pa mbështetjen e Serbisë


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fotografi nga arkivi.

Populli serb në Kosovë nuk do të mbetet pa mbështetjen e Serbisë sepse është e rëndësishme që ata të jenë të sigurt, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Pa lëvizje të nxituara, gjithmonë me popullin tonë për të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Kjo është politika që ne ndjekim dhe që e zbatojmë çdo ditë. Ne vazhdojmë të mbrojmë interesat tona kombëtare, dhe në të njëjtën kohë luftojmë për çdo faktor që mund të sjellë përfitime, të na bëjë më të fortë dhe më të mirë”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.

Ai shtoi se beson që “ne do të kemi sukses në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit për popullin tonë dhe Serbinë tonë”.

Më 5 nëntor, zyrtarët serbë njoftuan se do të largohen nga institucionet e Kosovës në katër komunat në veri të vendit, përfshirë nga policia, gjyqësori, por edhe nga Kuvendi dhe Qeveria.

Vendimi erdhi pasi Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje serbëve që të mos largohen nga institucionet e Kosovës, sepse sipas tij, kështu dobësohen shërbimet për qytetarët.

Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se serbët do të kthehen në institucionet e Kosovës kur Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

XS
SM
MD
LG