Ndërlidhjet

Amanda Bennett zgjidhet drejtoreshë e USAGM


Amanda Bennett, e cila u konfirmua nga Senati amerikan në postin e shefes ekzekutive të USAGM.
Amanda Bennett, e cila u konfirmua nga Senati amerikan në postin e shefes ekzekutive të USAGM.

Senati amerikan ka zgjedhur Amanda Bennett në pozitën e drejtoreshës ekzekutive të Agjencisë Amerikane për Media Globale (USAGM), agjenci që mbikëqyr transmetuesit ndërkombëtarë amerikanë, përfshirë Radion Evropa e Lirë.

Amanda Bennett është gazetare hulumtuese me përvojë shumëvjeçare dhe fituese e Çmimit Pulizer në vitin 1997. Më 2016, ajo ishte emëruar drejtoreshë e Zërit të Amerikës.

Gjatë karrierës së saj të gjatë në gazetari ajo ka punuar edhe në Wall Street Journal dhe Bloomberg News dhe në media të tjera.

Pas konfirmimit të Bennett në këtë post, ushtruesja e deritanishme e shefes së USAGM-it, Kelu Chao, mirëpriti zgjedhjen e saj dhe tha se Bennett ka “vizion dhe eksperiencë për të ndërtuar mbi progresin tonë, dhe njëkohësisht duke bërë që USAGM të përgatitet dhe të përballet me kërcënimet ndaj mediave të pavarura dhe për të arritur deri tek audienca në nevojë”.

“Konfirmimi i Bennett përmes mbështetjes dypartiake në Senat thekson se sa kritike është për Kongresin dhe ne që USAGM të vazhdojë të përmbushë misionin e tij të rëndësishëm. Tani më shumë se kurrë, njerëzit në mbarë botën varen nga lajmet e bazuara në fakte të USAGM-it, për të triumfuar ndaj dezinformimit në rritje dhe censurës”, tha Chao.

Agjencia Amerikane për Media Globale është një agjenci e pavarur federale që ka për mandat promovimin e lajmeve të paanshme në mbështetje të lirisë dhe demokracisë jashtë SHBA-së.

USAGM mbikëqyr Zërin e Amerikës, Radion Azia e Lirë, Radion Evropa e Lirë dhe transmetuesit e tjerë ndërkombëtarë të financuar nga SHBA-ja.

XS
SM
MD
LG