Ndërlidhjet

Ambasada amerikane: Vendimet e kryetarëve të komunave janë të rëndësishme


Flamuri i Kosovës dhe ai i Shteteve të Bashkuara.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë se vendimet e kryetarëve të komunave janë të rëndësishme, andaj edhe u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të votojnë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

“Vendimet (e kryetarëve) qofshin ato duke u dhënë prioritet shkollave, transportit publik, mbledhjes së mbeturinave apo projekteve tjera, ndikojnë në kualitetin e jetës së përditshme”, ka thënë kjo Ambasadë përmes një postimi në Twitter.

Qytetarët e Kosovës do të zgjedhin të dielën (17 tetor) kryetarët e rinj dhe asambletë komunale në 38 komuna.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 885 mijë e 448 votues.

Zëdhënësi, Valmir Elezi, ka thënë se në orën 07:00 janë hapur të gjitha vendvotimet.

Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim që monitorojnë procesin zgjedhor të 17 tetori në Kosovë tha në njoftimin e saj mëngjesin e së dielës se 80 për qind e Qendrave të Votimit janë të qasshme për persona me aftësi të kufizuar fizike ndërsa nuk është hasur në materiale propaganduese në perimetër prej 100 metra nga Qendrat e Votimit.

Sipas vëzhguesve, 96 për qind e Qendrave të Votimit dhe vendvotimeve janë dezinfektuar para hapjes ndërsa udhëzimet si të votohet sigurt duke respektuar masat anti-COVID-19 në fuqi janë vendosur në 95 për qind të Qendrave të Votimit në nivel vendi.

Na ndiqni në blog për më të rejat rreth zgjedhjeve: Kosova voton

XS
SM
MD
LG