Ndërlidhjet

Një i plagosur nga shpërthimi në Ambasadën ukrainase në Madrid


Policia spanjolle para Ambasadës ukrainase në Madrid, pas shpërthimit. 30 nëntor 2022.

Policia spanjolle tha se po heton raportimet për një shpërthim të vogël në Ambasadën ukrainase në Madrid, tha Ministria e Brendshme.

Në deklaratën për media, kjo ministri tha se Policisë iu tha se një punëtor i Ambasadës ukrainase është plagosur lehtë, teksa ishte duke mbajtur në duar një letër.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ukrainase, Oleh Nikolenko, tha se ambasada në Madrid kishte pranuar një zarf si pjesë e dërgesave postare.

“Gjatë kontrollit, zarfi shpërtheu në duart e menaxherit të ambasadës”, tha Nikolenko për Associated Press.

“Menaxheri pësoi lëndime të lehta, është hospitalizuar ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor. Jeta e tij nuk është në rrezik”, shtoi ai.

Sipas Nikolenkos, asnjë pjesëtar tjetër i stafit të Ambasadës ukrainase nuk është plagosur.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, menjëherë kërkoi forcimin e sigurisë në të gjitha ambasadat ukrainase. Ai po ashtu kërkoi nga Spanja që të ndërmarrë masa urgjente për të hetuar këtë sulm.

“Kushdo që qëndron pas këtij shpërthimi, ata nuk do të kenë sukses në frikësimin e diplomatëve ukrainas apo që të ndalin përpjekjet e tyre për të forcuar Ukrainën dhe për të luftuar agresionin rus”, tha Nikolenko.

Ministria tha se punëtori i plagosur u dërgua në spital, ndërkaq autoritetet spanjolle thanë se më pas ai u lirua nga spitali.

XS
SM
MD
LG