Ndërlidhjet

Hovenier bën thirrje për konstruktivitet dhe fleksibilitet për përparim në dialog


Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka inkurajuar sërish të gjitha palët e përfshira në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian – të angazhohen në mënyrë konstruktive, fleksibile dhe urgjente që të arrihet përparim në këtë proces.

Sipas tij, integriteti dhe sovraniteti territorial i Kosovës nuk janë të diskutueshëm.

Ai i ka bërë këto deklarata pas takimeve që ka zhvilluar në Prishtinë me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Ecobar dhe Lajçak janë takuar edhe me krerët e lartë shtetërorë të Kosovës, përfaqësuesit e opozitës dhe shoqërisë civile gjatë vizitës së tyre treditëshe në Kosovë.

Të mërkurën, 2 shkurt, ata janë nisur drejt Beogradit.

Dy diplomatët perëndimorë e kanë inkurajuar Kosovën që të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ata po ashtu kanë thënë se të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në Bruksel duhet të zbatohen.

Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar bisedime në nivel të lartë qysh në korrik të vitit të kaluar.

Çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe shihet si shkak i bllokadës.

Formimi i këtij asociacioni është paraparë me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia kanë arritur në vitin 2013.

Qeveria aktuale e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.

Serbia, në anën tjetër, këmbëngul në krijim e tij.

XS
SM
MD
LG