Ndërlidhjet

Ambasadori Hill: Angazhimi i Vuçiqit është konstruktiv


Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. 23 maj 2022.

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pasur një “angazhim konstruktiv” në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për targat në Kosovë.

Takimi mes Hillit dhe Vuçiqit, vjen pas atij të djeshmit në Bruksel që presidenti serb pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

"Unë i bëra thirrje presidentit Vuçiq që të vazhdojë angazhimin e tij konstruktiv në proces, me shpresën se do të gjejmë një zgjidhje. Angazhimi konstruktiv është qasja e duhur", u tha Hill gazetarëve pas takimit.

Me kërkesë të SHBA-së, Kurti pas mesnate vendosi ta shtyjë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS - Republika e Kosovës.

"Unë mendoj se BE-ja e ka bërë të qartë se duhen më shumë se 48 orë, se do të donte t'i shtonte edhe 363 ditë të tjera", tha Hill.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me ambasadorin amerikan, ka njoftuar në Instagram se ka ndarë shqetësimin e tij për sigurinë e serbëve në Kosovë.

“Falënderova SHBA-në për përfshirjen e tyre në qetësimin e tensioneve dhe parandalimin e përshkallëzimeve të mëtejshme, dhe theksova se Serbia mbetet sinqerisht e përkushtuar ndaj dialogut dhe zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura në mënyrë paqësore, në mënyrë që të ruhet paqja dhe stabiliteti i fituar me vështirësi në të gjithë rajonin”, tha Vuçiq.

Brnabiq: Serbia është e përkushtuar ndaj stabilitetit dhe dialogut

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, tha më 22 nëntor se Serbia në Bruksel tregoi "sa thellë është e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit, dialogut dhe kompromisit".

“E vetmja gjë që ne duam dhe e vetmja gjë që dëshirojnë serbët nga Kosova dhe Metohia është zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese, asgjë më shumë dhe asgjë më pak se kaq” tha ajo, duke komentuar takimin e Brukselit.

Më 21 nëntor, takimi në Bruksel mes Kurtit dhe presidentit Vuçiqit, rezultoi pa marrëveshje.

Para shtyrjes së vendimit, Policia e Kosovës pati planifikuar që vendimin për gjobat ta zbatonte nga mëngjesi i 22 nëntorit.

Faza e dytë parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me targa të tilla.

Faza e parë ka paraparë qortimin, e dyta parasheh gjobën dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese.

Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit, në Kosovë nuk duhet të ketë më makina me targa të tilla që lëshojnë autoritetet serbe.

Serbia - e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan - duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës - ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme - kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Ata, po ashtu, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave nga autoritetet e Kosovës.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

XS
SM
MD
LG