Ndërlidhjet

Kurti paralajmëron aplikimin e Kosovës në KE dhe Partneritet për Paqe 


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova, së shpejti, do të dorëzojë aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Kurti i bëri komentet në Berlin, pas një takimi me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Scholz priti të mërkurën në takim edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ky i fundit reagoi ndaj paralajmërimeve të Kosovës se do të bëjë përpjekje të anëtarësohet në organizata të reja ndërkombëtare.

“Nëse dikush nuk dëshiron të respektojë Marrëveshjen e Uashingtonit, edhe ne do të veprojmë në përputhje me Kushtetutën dhe interesat kombëtare”, tha Vuçiq.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në shtator të vitit 2020 një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.

Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar për një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia ka rënë dakord për një moratorium - po ashtu njëvjeçar - mbi fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovës si shtet.

Në bazë të Marrëveshjes së Uashingtonit, moratoriumet tashmë kanë skaduar.

Kancelari Scholz tha se shpreson se Serbia nuk do të largohet nga ato organizata, ku Kosova do të mund të anëtarësohet.

“Unë dua që Serbia të qëndrojë në Këshillin e Evropës. Kontributi i dhënë atje është i rëndësishëm”, tha Scholz.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.

Partneriteti për Paqe, ndërkaq, është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por nuk ka arritur ende të anëtarësohet në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Ajo nuk është ende as anëtare e Bashkimit Evropian, as e Organizatës Botërore të Tregtisë, as e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale e të tjera.

Serbia ka qenë e angazhuar në fushatë për pengimin e Kosovës, së bashku me mbështetësen e saj kryesore në arenën ndërkombëtare, Rusinë.

Kosova, megjithatë, ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare - në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

XS
SM
MD
LG