Ndërlidhjet

Blinken mirëpret marrëveshjen për zbatimin e propozimit evropian


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mirëpriti pajtueshmërinë mes Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

“Përmbushja e obligimeve sipas Marrëveshjes Bazë, si pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm për pajtim, do të ofrojë mundësi të mëdha për njerëzit në dy shtetet dhe do të përshpejtojë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Blinken përmes një deklarate.

Kryediplomati amerikan përgëzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për lidershipin e treguar për arritjen e kësaj marrëveshjeje.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të angazhuara në mënyrë aktive, në koordinim me partnerët e BE-së, për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë që të punojnë drejt një marrëdhënieje të parashikueshme dhe paqësore. Ne do të vazhdojmë të mbështesim avancimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”, tha Blinken.

Kurti dhe Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, më 18 mars u pajtuan për aneksin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.

Në këto negociata, që u mbajtën në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në cilësinë e vëzhguesit ishte edhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Bashkimi Evropian tha se palët në takimin e Ohrit nuk e nënshkruan zyrtarisht marrëveshjen, por u pajtuan që ta zbatojnë atë.

Kosova dhe Serbia ishin pajtuar më 27 shkurt për propozimin evropian për normalizimin e raporteve.

Ky propozim, i përbërë prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Propozimi evropian kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Pas rundit të dialogut në Ohër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se marrëveshja e arritur nënkupton “njohjen e ndërsjellë de facto”.

I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai tha se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.

“Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë”, tha Vuçiq.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, ka nisur më 2011. Ky proces synon të çojë palët drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve.

XS
SM
MD
LG