Ndërlidhjet

Festivali Sunny Hill zhvendoset në Tiranë


Fotografi e realizuar gjatë një edicioni të Sunny Hill. Foto nga arkivi.
Fotografi e realizuar gjatë një edicioni të Sunny Hill. Foto nga arkivi.

Festivali Sunny Hill nuk do të organizohet në Prishtinë, ka njoftuar më 14 qershor, Dukagjin Lipa, themelues dhe organizator i këtij festivali.

Më pas në faqen zyrtare të festivalit u konfirmua se ky organizim është zhvendosur në Tiranë.

Ai tha se arsyeja e mosmbajtjes së festivalit në Prishtinë është “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”.

Në letrën që ai ua ka dërguar krerëve të shtetit dhe zyrtarëve tjerë institucionalë, të cilën e ka publikuar në Facebook, thuhet se edhe pse janë në vitin e tretë të pritjes për përgjigje përfundimtare për dhënien e një hapësirë në shfrytëzim të platformës së festivalit, kjo kohë, sipas tij, ka qenë e pamjaftueshme për institucionet të marrin një vendim përfundimtar, i cili do t’ia lejonte festivalit përgatitjet për mbajtjen e këtij edicioni.

“Sunny Hill Festival ka treguar se nuk ka nevojë për pronë publike për 99 vjet. Ne nuk kemi nevojë për tokën e shtetit, por Prishtina ka nevojë për hapësirë e cila i plotëson kushtet e kërkuara nga performues të rangut botëror dhe festivali ka nevojë për shtëpi të përhershme në qytetin e tij”.

Lipa tha se kërkesa e festivalit është politizuar dhe se janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore dhe kompentencat e MAPL-së mbi Komunën e Prishtinës, ku sipas tij, ëhtë injoruar vendimi i shumicës së Kuvendit Komunal dhe është ushtruar ndikim i paralajmëruar direkt mbi ministrinë nga ana e asambleistëve të opozitës komunale.

“Tani, kërkesa e njëjtë, edhe pse tërësisht e plotësuar sipas ligjit dhe konform kritereve të MAPL, u shndërrua në betejë politike mes partive në Kuvend Komunal, në kurriz të festivalit…”.

Ministria e Administrimit Pushtetit Lokal, në një reagim për media, tha se nuk e ka anuluar apo rikthyer në shqyrtim vendimin e Komunës së Prishtinës për dhënien afatgjatë të pronës komunale në shfrytëzim, por ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë të cilat mungojnë.

“Vendimi për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për “The Sunny Hill”, me procedurat e negocimit të Kryetarit të Komunës, është aprovuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës me 10.05.2022, ndërsa për shqyrtim të ligjshmërisë në Ministri është pranuar me datë 16.05.2022”.

Sipas tyre lënda nuk ka qenë e kompletuar dhe konfrom ligjit kanë kërkuar sqarime shtesë në lidhje me vendimin e Komunës së Prishtinës.

Këtu bëhet fjalë për dhënien në shfrytëzim të një parcele prej 17 hektarësh për 99 vite.

“Duam po ashtu të theksojmë se për këtë akt dhe mënyrën e dhënies së pronës në shfrytëzim për 99 vite ne kemi pranuar reagime edhe nga organizata të shoqërisë civile të cilat kanë tërhequr vërejtjen pikërisht për mënyrën se si ishte proceduar me këtë proces”, thuhet në komunikatën për media.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës për këtë çështje, por nga ky institucion ende nuk janë përgjigjur.

Komuna ia lë fajin Qeverisë për shvendosjen e festivalit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se fajtor për këtë është qeveria dhe sipas tij zhvendosja e tij do t’i shkaktojë humbje të mëdha Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asamblistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit”, tha ai përmes një postimi në Facebook.


Gëzim Sveçla, shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, tha se duhet të mirëpritet heqja e dorë e Sunny Hill nga insistimi për 99 vjet pronë.

“Tash çdo gjë është në rregull. Nuk ka arsye të braktiset Prishtina nga ky Festival, përveç nëse nuk është në pyetje ndonjë pazar tjetër, i mëhershëm”, ka shkruar ai në Facebook.

Rama: Dua Lipa do të ndriçojë netët e kryeqytetit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar lajmin që festivali do të mbahet në Tiranë, duke shtuar se “Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre”.

Prishtina ishte nikoqire e disa prej emrave më të mëdhenj botëror të muzikës, duke përfshirë Miley Cyrus, Dua Lipa, Calvin Harris, Martin Garrix, Action Bronson, dhe dhjetëra artistë të tjerë.

Dukagjin Lipa tha se vlera e publicitetit ndërkombëtar të krijuar vetëm nga edicioni i fundit i festivalit është llogaritur në vlerën prej 23 milionë eurosh si dobi direkte për imazhin e shtetit, si dhe ka sjell deri në 10 milionë euro për ekonominë e Prishtinës.

“... mbi 50 për qind të pjesëmarrësve në Sunny Hill Festival në çdo edicion kanë ardhur nga jashtë Kosovës, nga më shumë se 40 vende të ndryshme të botës”, tha ai.

Edicioni i vitit 2020 ishte anuluar për shkak të pandemisë.

Ky festival u themelua nga Fondacioni Sunny Hill, i këngëtares me famë botërore, Dua Lipa.

Edicioni i tretë i festivalet ishte planifikuar të mbahej në Prishtinë nga 4 deri më 7 gusht 2022. Por, tashmë në këto data i njëjti është zhvendosur në kryeqytetin shqiptar.

XS
SM
MD
LG