Gjykata e Apelit e ka rrëzuar një dënim me nga një vit burgim ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku, dhe 9 të tjerëve në rigjykimin e rastit “Veteranët”, duke i liruar nga akuzat që të gjithë, pasi tha se nuk është provuar se ata kishin kryer veprën penale që u ngarkohej.
Në një vendim të 9 shtatorit, Apeli tha se Prokuroria nuk e kishte provuar se ata e kishin keqpërdorur pozitën e tyre me dashje për t’u dhënë statusin e veteranit personave që nuk i plotësonin kushtet.
Vendimi i Apelit vjen pas ankesës së mbrojtjes së Çekut dhe të tjerëve ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë në verën vitit 2025.
Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë dhe i kishte dënuar me nga një vit burgim Çekun, ish-ministrin e Mbrojtjes Rrustem Berisha, ish-deputetin Shkumbin Demalijaj, pastaj Sadik Halitjahan, Qelë Gashin, Shukri Bujën, Ahmet Dakun, Faik Fazliun, Fadil Shurdhajn dhe Xhavit Jasharin.
Ajo i ngarkonte ata për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për dëmtim të buxhetit të shtetit në vlerë mbi 88 milionë euro.
Në rastin e njëjtë, Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj ishin shpallur të pafajshëm për akuzat e njëjta.
Në vendimin e 9 shtatorit, Apeli i mbajti në fuqi aktgjykimin lirues të Themelorës për Lushtakun dhe Elezajn pas ankesës së Prokurorisë.
Prokurorët kishin argumentuar se numri i përfituesve të jashtëligjshëm nga statusi i veteranëve mund të jetë deri në 19 mijë njerëz.
Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shfrytëzuan detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të buxhetit të shtetit.
Megjithatë, Apeli tha se vendimin e tij vendosi se provat nuk e arrinin nivelin e nevojshëm për të vërtetuar se ata, individualisht dhe me dashje, kishin kryer veprën penale për të cilën ishin dënuar.
Sipas të dhënave të Qeverisë së Kosovës, statusin e veteranit luftëtar e kanë mbi 53 mijë persona.
Prej tyre, gati 37 mijë janë përfitues nga skema për veteranët e luftës, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Veteranët e luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë, të cilët janë të papunësuar, marrin pension mujor që nga viti 2015.
Pas rritjes së fundit në janar të këtij viti për 20 për qind, pensioni i tyre mujor është 204 euro.