Ndërlidhjet

Liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit do të takohen në Bruksel


Një ushtar armen gjatë luftimeve në rajonin e Nagorno Karabakut. Tetor 2020.
Një ushtar armen gjatë luftimeve në rajonin e Nagorno Karabakut. Tetor 2020.

Liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit do të takohen në Bruksel në mesin e muajit gusht për të biseduar për tensionet që çuan në përleshje në kufi ku u vranë disa ushtarë, njoftoi më 19 nëntor Bashkimi Evropian.

“Liderët janë pajtuar që të takohen në Bruksel për të diskutuar për situatën rajonale dhe për mënyrat sesi të tejkalohen tensionet, për një Kaukaz të Jugut prosperues dhe stabil, gjë që e mbështet BE-ja”, tha në një deklaratë për media një zëdhënës i presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

Takimi pritet të ndodhë në margjinat e Samitit të BE-së për Partneritet Lindor, që do të mbahet në Bruksel më 15 dhjetor.

Ky njoftim vjen pak kohë pas bisedimeve që Michel zhvilloi të premten me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe me kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinian.

“Gjatë bisedave telefonike, liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit po ashtu janë pajtuar që të krijojnë një linjë direkte të komunikimit, në nivel të ministrave të Mbrojtjes të shteteve respektive, që do të shërbejë si mekanizëm për të parandaluar incidentet”, tha BE-ja.

BE-ja u bëri thirrje të dyja shteteve të enjten që të tërheqin trupat dhe të respektojnë marrëveshjen e armëpushimit që u arrit më 17 nëntor, pas raportimeve se shtatë ushtarë azerbajxhanas u vranë në përleshjet e armatosura në kufi.

Më 17 nëntor, Armenia dhe Azerbajxhani u pajtuan për armëpushim në kufijtë e tyre, pasi Rusia u bëri thirrje që të tërhiqen nga luftimet, që ishin më të ashprat që prej luftës të një viti më parë në rajonin e Nagorno Karabakut, që la të vrarë të paktën 6,500 persona.

XS
SM
MD
LG