Ndërlidhjet

Protestë në Ferizaj teksa arrestohet i dyshuari për vrasjen e 18-vjeçares


Protesta në Ferizaj ku u kërkua drejtësi për viktimën M. nga Ferizaj.

Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin për vrasjen e një gruaje 18-vjeçare në Ferizaj.

Arrestimi u tha se është bërë në një fshat të Komunës së Ferizajt.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari për veprën penale “Vrasje e rëndë” me iniciale D.K, po shoqërohet në polici.

Vrasja e M.O, 18-vjeçare, ka ndodhur më 22 gusht në Ferizaj. Dy persona të dyshuar, e kanë dërguar trupin e pajetë të viktimës në emergjencën e qytetit dhe më pas janë larguar.

Një ditë më herët është arrestuar edhe i dyshuari tjetër me inicialet A.S.

Sipas mediave, viktima kishte qenë e martuar që dy muaj me D.K dhe është raportuar se ndaj saj është ushtruar dhunë.

"Femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare", "Policia i ka duart me gjak" janë disa prej mbishkrimeve që mbajtën protestuesit në Ferizaj.
"Femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare", "Policia i ka duart me gjak" janë disa prej mbishkrimeve që mbajtën protestuesit në Ferizaj.

Lidhur me rastin në Ferizaj, të martën në këtë qytet u mbajt një protestë, që u organizua nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

Bjeshkë Guri tha se rasti i fundit në Ferizaj tregon se në shoqërinë kosovare nuk ka vend të sigurt për gratë dhe vajzat.

“Ky rast i femicidit përveç që është duke shpërfaqur mendësinë dhunuese patriarkale, është tregues i dështimit institucional për ta trajtuar sigurinë e grave me prioritet”, tha Guri.

Pjesëmarrësit në protestën në Ferizaj kërkojnë drejtësi për gratë e vrara.
Pjesëmarrësit në protestën në Ferizaj kërkojnë drejtësi për gratë e vrara.

Guri tha se për të adresuar fenomenin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, institucionet duhet të respektojnë Konventën e Stambollit, duhet të ketë dënim maksimal për vrasësit, duhet të ketë siguri për gratë dhe vajzat në të gjitha hapësirat.

Ajo po ashtu pati një kërkesë specifike për Policinë e Kosovës.

“Kemi edhe një kërkesë drejtuar në mënyrë specifike policisë dhe kërkojmë nga ta që të trajtojë me dinjitet dhe në mënyrë të barabartë të gjitha gratë dhe vajzat që raportojnë rastet e tyre të kanosjes, të kërcënimit, përdhunimit apo të çfarëdo rasti tjetër në baza ditore”, tha Guri.

Kuvendi i Kosovës në shtator të vitit 2020 e përfshiu Konventën e Stambollit në Kushtetutë.

Konventa e Stambollit, e hartuar nga Këshilli i Evropës, është instrument obligues që detyron shtetet ta luftojnë dhunën ndaj grave dhe vajzave dhe dhunën në familje.

XS
SM
MD
LG