Ndërlidhjet

Në Serbi arrestohen 13 të dyshuar për kontrabandë të gjashtë tonëve kokainë


Policia e Serbisë. Fotografi ilustruese.
Policia e Serbisë. Fotografi ilustruese.

Prokuroria e Serbisë për krim të organizuar (TOK) njoftoi se është arrestuar një grup personash të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, pas procedurës para-hetimore disa muajshe në territorin e Beogradit, Nishit, Llazarevcit, Suboticës dhe Zrenjaninit, janë arrestuar 13 persona, me inicialet: M. S, M. Ll, M. J, D. Gj , M. M, D .N, I. C, R.R, G. P, M. R, V. S, M. P. dhe L. Ll.

Shefi i Departamentit të policisë kriminale, Ninosllav Cmolliq, tha se të arrestuarit në Serbi dyshohet se janë “trafikantët më të mëdhenj të kokainës nga Ballkani”.

Siç tha ai, organizata “Karteli ballkanik” është zbuluar me ndihmën e Europolit.

Sipas Cmolliqit, besohet se ai kartel “qëndron pas ngarkesave shumëtonëshe të kokainës që arritën në Evropë nga Kolumbia, Brazili, Ekuadori, por edhe përmes Afrikës Perëndimore”.

“Ky aksion ka rezultuar me largimin e organizatës më të madhe kriminale të trafikut të drogës nga Ballkani”, shtoi ai.

Në territorin e Serbisë janë arrestuar M.S dhe M.L, të dyshuar si organizatorë të një grupi kriminal, si dhe 11 persona të tjerë të dyshuar si drejtues të celulave të pavarura të organizatës kriminale.

Siç tha Cmolliq, informacionet nga aplikacioni celular Sky ishin qenësore për zbulimin e kartelit.

“Së paku, shtatë ton kokainë të kapura në vitin 2020 janë të lidhura me udhëheqësit e arrestuar sot dhe anëtarët e arrestuar më parë të kartelit të lartpërmendur”, tha kreu i policisë kriminale.

Ai shtoi se informacionet aktuale tregojnë se “Karteli ballkanik” vepronte në mënyrë të pavarur.

“Se a ka qenë i lidhur me klane të tjera, këtë do ta tregojë hetimi në ditët dhe muajt në vijim”, shtoi ai.

Ai theksoi se hetimet janë duke vazhduar dhe se ende po kryhen bastisje në disa lokacione në Serbi.

Prokuroria e Serbisë për krimin e organizuar njoftoi se një grup i organizuar kriminal vepronte edhe në zonën e Karaibeve të Arubës dhe se në shkurt të vitit 2022 kishte kontraktuar shumën prej 4.5 milionë eurosh për vetëm një dërgesë droge.

Mësohet se ky grup i organizuar kriminal përbëhet nga 20 persona të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge.

“Nga shtatë persona që nuk u arrestuan, dy prej tyre janë duke vuajtur dënimin me burg, gjagjësisht paraburgim, sipas vendimeve të Holandës dhe Perusë. Një është në paraburgim me bazë tjetër në Nish dhe katër janë në arrati”, njoftoi Prokuroria për krim të organizuar.

Kjo prokurori specifikoi se përmes ndihmës juridike ndërkombëtare u mblodhën provat që kanë të bëjnë me përdorimin e aplikacionit Sky dhe provat që kanë të bëjnë me subjektet e konfiskimeve nga vende të tjera, kryesisht nga Franca.

Konfiskimet e kokainës, të cilat ndërlidhen me këtë kartel, kanë qenë jashtë territorit të Serbisë.

Konfiskimi më i madh, rreth pesë ton kokainë, ndodhi në ishullin Aruba në Detin e Karaibeve.

Në Belgjikë u kapën 1.2 ton kokainë, ndërsa në Holandë 743 kilogramë.

Një nga gjykimet më të mëdha për kontrabandë droge në Serbi, në dy dekadat e fundit, ishte gjykimi i të akuzuarit Darko Shariq, i cili më 12 tetor 2022, me vendim të Gjykatës së Apelit u dënua me 14 vjet burg për organizimin e kontrabandës së 5.7 ton kokainë nga Amerika Latine në Evropën Perëndimore, gjatë viteve 2008 dhe 2009.

Nëntë vjet më parë ai u dorëzua tek autoritetet serbe për shkak të akuzës për trafikim të drogës.

Ai po gjykohet në Beograd edhe në dy procedura të tjera; për pastrim parash të përfituara nga kokaina, në një proces që vazhdon që nga viti 2011, si dhe për shkak të dyshimit se në vitin 2020, nga paraburgimi ka organizuar një grup të ri kriminal, në të cilin kishte 14 bashkëpunëtorë.

Çfarë është aplikacioni Sky?

Publiku i gjerë në Serbi është njoftuar për ekzistencën e aplikacionit Sky, pasi më 4 shkurt të vitit 2021, u arrestuan Velko Bellivuk dhe anëtarët e grupit të tij, të cilët akuzohen për pesë vrasje, rrëmbim dhe përdhunim, trafik droge dhe armësh.

U sekuestruan 44 telefona Sky , ndërkaq presidenti serb Alleksandar Vuçiq, në një transmetim të drejtpërdrejtë në televizionin kombëtar, më 6 mars, tregoi tre fotografi të trupit të pajetë dhe kokës së prerë të një burri.

Asokohe, Vuçiq tha se një pjesë e provave në hetim janë marrë nga përmbajtja e telefonave që kishin sistemin e veçantë dhe të mbrojtur, Sky.

I njëjti aplikacion shërbeu si një dritare për të hyrë në kanalet sekrete të komunikimit të kriminelëve në mbarë botën.

Detektivët belgë dhe holandezë, pas “thyerjes” së aplikacionit Sky, u infiltruan në komunikimet në këtë aplikacion dhe në mes të shkurtit të vitit 2021, ata lexuan drejtpërdrejtë korrespondencën e shkëmbyer në rreth 70.000 pajisje. Ata përgjuan rreth një miliardë mesazhe dhe zbuluan informacione për organizatat kriminale, veçanërisht në zonën e Antverpenit.

Informacionet që janë marrë nga komunikimi në Sky, çoi në arrestime në Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi.

XS
SM
MD
LG