Ndërlidhjet

Arrestohen shtatë persona për rastin “Brezovica 3”  


Vila të ndërtuara në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.
Vila të ndërtuara në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

Shtatë persona janë arrestuar, të enjten, më 03 mars, në kuadër të aksionit të quajtur “Brezovica 3” të Prokurorisë Themelore të Ferizajt”, ka njoftuar për Radion Evropa e Lirë, Vjosa Baftiu, zyrtare për komunikim në këtë institucion.

“Deri më tash janë arrestuar shtatë persona, tre ish- zyrtarë të Ministrisë se Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër persona, pronarë të kompanive private”, ka thënë ajo.

Personat e arrestuar, ka thënë Baftiu, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit dhe ushtrim të ndikimit.

Baftiu ka bërë të ditur se aksioni është duke u zhvilluar në 12 lokacione të ndryshme në katër komuna të Kosovës, përkatësisht në Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan, por nuk ka dhënë detaje se cilës komunë i përkasin personat e arrestuar.

Policia e Kosovës edhe në muajin dhjetor të vitit 2021 dhe në muajin janar të këtij viti ka arrestuar persona të përfshirë në rastin e quajtur “Brezovica”

Në fund të dhjetorit, janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Autoritetet dyshojnë se Nikolliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

Kurse, në aksionin e muajit janar janë arrestuar katër persona, përfshirë edhe zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Autoritetet e gjyqësisë dhe rendit në Kosovë, në muajin janar kishin njoftuar se kanë ngrirë afër 6 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga të pandehurit e përfshirë në rastin e njohur si "Brezovica".

Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.

Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.

Në kohën e arrestimeve të muajit dhjetor, autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas tyre, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht.

XS
SM
MD
LG