Ndërlidhjet

Inflacioni në Kosovë arrin në 10 për qind


Fotografi ilustruese.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bëri të ditur më 12 prill se indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit tregon për rritje të çmimeve për 10 për qind në muajin mars, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Rritja e inflacionit shpjegohet me ngritjen e çmimeve të konsumit dhe të shërbimeve.

Sipas ASK-së, ngritja më e madhe e çmimeve vërehet te faturat e energjisë elektrike me 13 për qind, pasuar nga gazi me 11.4 për qind. Vajrat dhe yndyrat ushqimore kanë pasur rritje prej 11.3 për qind, pijet alkoolike për 5.9 për qind, ndërkaq veshjet për 4.9 për qind, u tha në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit.

Çmimet në tregun e Kosovës kanë shënuar rritje që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt. Rritjes së çmimeve i ka kontribuar ndalimi i eksporteve të produkteve bazike nga shtetet e rajonit.

Kosova importon pothuajse të gjitha llojet e produkteve nga shtetet e rajonit dhe Evropës.

Sipas të dhënave të ASK-së, importi i mallrave në janar të këtij viti ka kapur vlerën e 338.1 milionë eurove, ndërsa eksporti ka qenë në vlerë prej 64.2 milionë eurosh.

XS
SM
MD
LG