Ndërlidhjet

Asnjë parti serbe nuk guxon ta sfidojë Listën Serbe


Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe
Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe

Aplikimi i vetëm një subjekti politik serb, Listës Serbe, për certifikim të subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat në veri të Kosovës, të cilat do të mbahen më 19 maj, është tregues i mungesës së kushteve për një pluralizëm politik në veri të Kosovës, brenda korpusit të subjekteve politike serbe, vlerësojnë përfaqësuesit e partive politike serbe dhe njohësit e zhvillimeve politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të enjten, në orën 24, ka mbyllur afatin e aplikimit për certifikim të subjekteve politike për zgjedhjet e 19 majit dhe brenda këtij afati, për t’u certifikuar janë paraqitur Partia demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Njohësi serb i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e vlerëson zhgënjyese situatën në të cilën, përveç Listës Serbe, asnjë subjekt tjetër politik i serbëve të Kosovës, nuk është paraqitur për t’i hyrë garës për kryetarët e katër komunave veriore të vendit, Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

“Ekzistojnë subjekte politike serbe që janë të përgatitura dhe të gatshme në çdo moment që të dalin ën zgjedhje. Por, ajo që ka ndodhur në zgjedhjet lokale të kaluara në veri të Kosovës, ka qenë një porosi e qartë për të gjithë, që në fakt, askush nuk do të guxonte t’i kundërvihej Listës Serbe, gjegjësisht që dalë përball tyre ose që të ketë mendim tjetër prej tyre".

"Porosia më e madhe është ajo që i ka ndodhur Oliver Ivanoviqit dhe fushatën kundër tij, kur ai u lajmërua për kandidat për kryetar komune, por edhe më vonë, kur ai kishte vazhduar luftën e tij. Ajo ka qenë porosi e qartë për të gjithë serbët e Kosovës, e sidomos në veri, që nuk e vlen t’i kundërvihesh një fuqi të tillë. Ajo që është shumë e rëndësishme, është fakti që demokracia këtu ka vdekur dhe ajo nuk ekziston”, theksoi Nojkiq.

Refuzimi i subjekteve politike serbe

Ditë më parë, shefi i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se Lista Serbe është përfaqësuese monolite e serbëve të Kosovës dhe si projekt i Beogradit zyrtar i bashkon të gjithë serbët. Sipas tij, serbët e Kosovës duhet të zgjedhin, të jenë me shtetin e Serbisë ose kundër tij.

“Në Kosovë, ose je për shtetin tënd të Serbisë ose nuk dëshiron të jesh në këtë shtet”, ka thënë Gjuriq.

Në mjaft raste, autoritetet e Beogradit i kanë quajtur kundërshtarët e Listës Serbe edhe si “serbë privat”. Të njëjtën retorike e kanë përdorur edhe përfaqësuesit e Listës Serbe.

Politika e Beogradit zyrtar dhe mbështetja vetëm për Listën Serbe, si dhe moszgjidhja e rasteve të vrasjeve të politikanëve serbë në veri të Kosovës, ka bërë që subjektet tjera politike serbe të refuzojnë pjesëmarrjen në garën për kryetarët e katër komunave veriore, me shumicë serbe.

Ksenija Bozhoviq, nga nisma qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”, subjekt ky politik të cilin e ka udhëhequr më parë politikani serb, Oliver Ivanoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se arsyet e mospjesëmarrjes së këtij subjekti politik në zgjedhjet për kryetarët e katër komunave në veri, janë pasiguria dhe mungesa e kushteve për zgjedhje të lira. Sipas saj, retorika e Listës Serbe është e ngjashme me atë të Beogradit zyrtar.

“Kjo nuk është fare diskurs politik, por është saktësisht retorikë që po përsëritet. Këtë e kemi theksuar edhe në zgjedhjet e kaluara. Gjatë fushatës parazgjedhore, ne kemi treguar se me çfarë kërcënimesh kemi të bëjmë. Por, askush nuk ka reaguar. Kemi parë se si edhe OSBE-ja, si organizatë ndërkombëtare përgjegjëse për monitorimin e zgjedhjeve, nuk ka bërë asgjë lidhur me këtë çështje".

"Ne kemi bërë edhe padi. Që prej procesit zgjedhor të kaluar e deri më sot, askush nuk i ka shqyrtuar dhe askush nuk na ka informuar se çfarë është bërë. Kemi vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Më parë kemi pasur edhe vrasjen e një kandidati tjetër për kryetar të komunës. Këto janë gjëra serioze. Askush nuk dëshiron ta japë jetën e tij. Këto janë gjëra të tmerrshme, por deri sot nuk janë kapur kryerësit e asnjërës vepër”, tha Bozhoviq.

Slobodan Petroviq, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, thotë për Radion Evropa e Lirë se në komunat veriore nuk ekzistojnë as kushtet minimale për zgjedhje dhe përgjegjës për këtë situatë ai e bën Listën Serbe. Për më shumë, sipas tij, më herët ka ndodhur vrasja e një kandidati të kësaj partie për kryetar të komunës, Dimitrije Janiqijeviq. Sipas tij, nuk është bërë asgjë për kapjen dhe vënien para drejtësisë të kryerësve të veprës.

“Fundja edhe në zgjedhjet që kanë qenë periudhën e kaluar, ata (Lista Serbe) kanë votuar vet, i kanë numëruar vetë dhe kanë bërë çka kanë dashur vet. E kemi pasur rastin ta shohim këtë. Ata që e monitorojnë dhe që e udhëheqin procesin zgjedhor, ata kanë përgjegjësi më të madhe se kushdo tjetër. Por, është fakt se tashmë është e qartë që në këtë moment nuk ka kushte elementare për çfarëdo lloj fushate të organizuar dhe të ligjshme për cilindo opsion tjetër politik, përveç atij të Listës Serbe”, theksoi Petroviq.

Të pasigurtët dhe luajalët ndaj Beogradit

Ndërkaq, Bozhoviq thotë se as para dhe as pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë të komunave në veri të Kosovës, askush nuk i ka garantuar subjektet tjera politike serbe për sigurinë e tyre.

“Liderët tjerë politik dhe opsionet tjera politike që janë pjesë e jetës politike në Kosovë, po flas kryesisht për ato serbe, askush nuk i ka trimëruar, askush nuk ka treguar interesim që t’u japë kurajë atyre serbëve se mund të dalin në zgjedhje dhe se dikush do t’ua garantoj sigurinë”, u shpreh Bozhoviq.

Në anën tjetër, Lista Serbe, përveç për komunën e Zubin Potokut, në tri komunat tjera, i ka të njëjtit kandidatë për kryetarë të komunave, të cilët kanë dhënë dorëheqje nga këto poste në fund të nëntorit të vitit të kaluar.

Njohësi i zhvillimeve politik, Nojkiq, thotë se një gjë e tillë flet qartë për motivet me të cilat garon Lista Serbe dhe përfaqësuesit e saj.

“Ato janë motive të rëndësishme dhe personale. Të gjithë këta përfaqësues, e kanë kryer punën mjaft pozitivisht ndaj Beogradit dhe ky i fundit sërish i ka vënë ata në listë, gjegjësisht, kjo është shpërblim për punën dhe veprimtarinë e tyre politike në mandatin e kaluar. Përveç motiveve politike, ekzistojnë edhe motivet personale, qoftë të kandidatëve nga Lista Serbe, qoftë të presidenti të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, theksoi Nojkiq.

Zgjedhjet e parakohshme në Mitrovicën Veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, janë shpallur pasi që kryetarët e këtyre katër komunave me shumicë serbe, me 26 nëntor të vitit të kaluar, patën dhënë dorëheqje, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 për qind për prodhimet e importuara nga Serbia.

XS
SM
MD
LG