Ndërlidhjet

Marsh në Prishtinë kundër Asociacionit


Protesta në Prishtinë kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. 15 shkurt 2023.
Protesta në Prishtinë kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. 15 shkurt 2023.

Studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe qytetarë kanë organizuar një marsh në Prishtinë kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Me slogane si “Asociacioni nuk kalon”, “S’pranoj Asociacion që na bosnjëzon”, “Bashkë kundër Asociacionit”, "Kosova Republikë, s'ka Zajednicë [Asociacion]" dhe të ngjashme, studentët, nën organizimin e Parlamentit të Studentëve të UP-së, nisën marshin e tyre nga Biblioteka Kombëtare dhe u ndalën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Protestuesit thanë se Asociacioni do të cenonte sovranitetin e Kosovës.
Protestuesit thanë se Asociacioni do të cenonte sovranitetin e Kosovës.

Organizatorët e këtij marshi argumentuan se themelimi i asociacioneve njëetnike në vendet e rajonit ka krijuar "shtet brenda shtetit". Ata thanë se një asociacion i tillë nuk do të avanconte të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, por "do t'i instrumentalizonte" serbët që jetojnë në Kosovë.

“Ne nuk pranojmë Asociacionin e komunave me shumicë serbe që cenon drejtpërdrejtë paqen, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”, tha njëra prej studenteve.

Protestuesit para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Protestuesit para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, një përfaqësues i Shoqatës së familjarëve të heronjve dhe dëshmorëve të kombit, tha se Serbia, përmes Asociacionit, synon të destabilizojë Kosovën.

“Synimi i Serbisë është që një herë të themelohet Asociacioni për të arritur më lehtë deri te ndarja e veriut të Kosovës”, tha ai.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje – në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian – për themelimin e Asociacionit.

Çfarë parasheh Asociacioni?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Megjithatë, marrëveshja e vitit 2015, mbi parimet për themelimin e Asociacionit, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Por, Kushtetuesja ka argumentuar se pikat mund të harmonizohen.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, e kundërshton formimin e një asociacioni njëetnik. Megjithatë, së fundmi, Kurti ka paraqitur gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit, që sipas tij, do të mundësonte që një organ i tillë të formohej duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdimisht kërkojnë nga Kosova që të themelojë Asociacionin.

Serbia kërkon që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, që kundërshtohet nga Kosova.

SHBA-ja ka thënë se kundërshton “krijimin e një entiteti që i ngjan Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë”.

XS
SM
MD
LG