Ndërlidhjet

Atletja bjelloruse e fiton të drejtën ta përfaqësojë Poloninë, pasi dezertoi


Krystsina Tsimanouskaya gjatë një gare në 100 metra vrapim në Szczecin, Poloni, 15 gusht 2021.
Krystsina Tsimanouskaya gjatë një gare në 100 metra vrapim në Szczecin, Poloni, 15 gusht 2021.

Një atlete bjelloruse, e cila kërkoi ndihmë ndërkombëtare për ta shmangur detyrimin për t’u kthyer në shtëpi para kohe nga Lojërat Olimpike të Tokios, e ka fituar të drejtën ta përfaqësojë Poloninë në turnetë ndërkombëtarë.

Krystsina Tsimanouskaya kishte dezertuar në Poloni bashkë me bashkëshortin e vet në vitin 2021.

Fondacioni për Solidaritet në Sport i Bjellorusisë tha më 7 gusht se Federata Botërore e Atletikës e ka pranuar pjesëmarrjen e Krystsina Tsimanouskaya – e njohur edhe si Kryscina Cimanouska – në Kampionatin Botëror të Atletikës, që do të mbahet në Budapest këtë muaj.

Vrapuesja e shpejtë Tsimanouskaya e mori nënshtetësinë polake në gusht të vitit 2022.

Në fillim të gushtit 2021, Tsimanouskaya shkoi refugjate në Ambasadën e Polonisë në Tokio, pasi zyrtarët e ekipit bjellorus tentuan ta detyronin atë të hipte në aeroplan për t’u kthyer në Minsk, pasi i kishte kritikuar ata.

Dy ditë më vonë, ajo e mori një aeroplan për Evropë, duke mbërritur në Varshavë përmes një ndalese në Vjenë.

Polonia u dha asaj dhe burrit të saj, i cili iku në Poloni përmes Ukrainës, viza humanitare.

Gjendja e vështirë e atletes 26-vjeçare u bë lajm i madh nga Lojërave Olimpike Verore të Tokios dhe e ktheu vëmendjen ndërkombëtare kah shtypja në Bjellorusi, një vit pasi kishin shpërthyer protestat kur lideri Alyaksandr Lukashenka e shpalli fitoren në zgjedhjet e kontestuara presidenciale në gusht 2020.

Disa protestues janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë arrestuar gjatë protestave masive që kërkonin dorëheqjen e Lukashenkas. Ka pasur edhe raportime të besueshme për torturim gjatë një lufte të gjerë të forcave të sigurisë ndaj protestuesve.

Në vitin 2021, djali i Lukashenkas, Viktar, e mori drejtimin e Komitetit Kombëtar Olimpik të Bjellorusisë nga babai i tij, një vendim të cilin nuk e njohu Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON).

Po ashtu, në gusht 2021, një trajner i klubit të hendbollit Vitsyaz në Minsk, Kanstantsin Yakauleu, iku në Ukrainë pak javë pasi i kreu 15 ditë burgim, për shkak se kishte marrë pjesë në një protestë kundër Qeverisë.

Atletja bjelloruse Yana Maksimava dhe burri i saj Andrey Krauchanka, fitues i medaljes olimpike, njoftuan në atë kohë se kishin vendosur të qëndrojnë në Gjermani me fëmijën e tyre, për shkak të shtypjes në Bjellorusi.

XS
SM
MD
LG