Ndërlidhjet

“Autoktonët” në hartën e Apple


Dua Lipa dhe Rita Ora ngjallin debat të ashpër shqiptaro-serb
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:12 0:00

Dua Lipa dhe Rita Ora ngjallin debat të ashpër shqiptaro-serb

Këngëtarja e njohur britanike me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, shkaktoi një furi komentesh në rrjetet sociale, fundjavën e kaluar, pasi, fillimisht, e ftoi kompaninë amerikane Apple nga profili i saj në Instagram që ta vendosë Kosovën në hartë, ndërsa më pas postoi në Instagram dhe Twitter një fotografi të hartës së "Shqipërisë së Madhe" me mbishkrimin “autochthonous“ (autokton).

Në këtë hartë, përveç Kosovës dhe Shqipërisë, përfshihen pjesë të Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Poshtë fotografisë, Dua Lipa ka shkruar: “Autokton – mbiemër (banor i një vendi), vendas, jo pasardhës të migrantëve ose kolonistëve".

Përdoruesit e rrjeteve sociale në Serbi kanë shprehur masovikisht pakënaqësinë e tyre.

"Kosova është Serbi", "Nuk ka dorëzim", "Edukohu, historia është e rëndësishme që të mos thuash diçka, sepse ndoshta e ke keqkuptuar dhe ke dashur ta ndash me të gjithë, duke mos e kuptuar se sa e keqe ka qenë ajo histori" - këto janë vetëm disa nga komentet që janë lënë poshtë postimit të Dua Lipës. Komentet janë shoqëruar edhe me simbole serbe.

Në postimin në Twitter ka reaguar edhe Florian Bieber, ekspert për Ballkanin në Universitetin e Gracit, duke shkruar:

“Nacionalizëm i budallait - kur ti beson se kombi yt ka më shumë të drejta sepse është në një vend më gjatë se të tjerët (dhe shpërndan harta të tilla)”.

Përdoruesit e Twitterit në Serbi, të orientuar nga krahu i djathtë, gjithashtu kanë bërë komente fyese.

Shumë e kanë kujtuar hedhjen e një droni me flamurin e "Shqipërisë së Madhe" në ndeshjen e futbollit midis Serbisë dhe Shqipërisë, në Beograd, në vitin 2014.

Disa përdorues janë ankuar edhe për faktin se Dua Lipës i ka shprehur mbështetje Ivana Cvetkoviq Bajroviq, ndihmëse e drejtorit për Evropën në Fondacionin Kombëtar për Demokraci (NED) në Beograd.

"Zgjuarsia e postimit të Dua Lipës qëndron në përdorimin e një fjale: autokton, që përshkruan me saktësi origjinën e shqiptarëve në territorin e shënuar në foto. "Çfarëdo që lexon dikush në të flet më shumë rreth tyre, sesa për fotografinë që ajo postoi", ka shkruar Cvetkoviq Bajroviq në përgjigjen e saj në Twitter, pas kritikave.

Postimi, përveç pakënaqësisë, ka nxitur edhe mbështetje për këngëtaren, në mesin e përdoruesve shqiptarë të Twitterit.

“Dua për presidente” është njëri nga komentet e tyre.

“O Tokë Tonë”, ka shkruar futbollisti shqiptar, Lorik Cana.

“Rënie e internetit - mbiemër (Dua Lipa - këngëtarja shqiptare që solli rregulla të reja në popin modern)” – është një koment tjetër.

Fotografinë e Duas e ka shpërndarë në Twitter edhe babai i saj, muzikanti kosovar Dukagjin Lipa.

Të gjithë kësaj i ka paraprirë reagimi i këngëtares së njohur ndaj një peticioni që kërkon që Kosova të mbahet në hartat e Apple me një yll, apo fusnotë, si pjesë e Serbisë.

Ky peticion aktualisht ka rreth 13,000 nënshkrues.

Peticioni i dytë, i cili ka rreth 93,000 nënshkrime, thotë se është shqetësuese që Kosova nuk tregohet në hartat e Apple.

“Kufijtë e saj mezi shihen dhe më e keqja është se tregohet si pjesë e Serbisë. Kjo duhet ndryshuar sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse Kosova është një vend i pavarur që nga viti 2008 ", thuhet në peticion.

Në llogarinë e saj në Instagram, Dua Lipa i ka bërë thirrje kompanisë Apple që ta vendosë Kosovën në hartë.

“Kemi nevojë për disa përgjigje”, i ka shkruar Lipa kompanisë, duke i bërë thirrje që edhe Palestinën ta vendosë në hartë.

Një ditë më vonë, edhe këngëtarja tjetër britanike me prejardhje nga Kosova, Rita Ora, ka kërkuar nga Apple që ta përfshijë Kosovën në hartat e saj.

Aktualisht, kufijtë e Kosovës në hartën e kësaj kompanie janë vizatuar me ngjyrë të kuqe të zbehtë, ndryshe nga vendet e tjera që ndahen me një ngjyrë të ndritshme dhe një linjë e trashë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG