Ndërlidhjet

Autoritetet publikojnë çmimet maksimale për karburante


Stacion karburantesh. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Stacion karburantesh. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë, ka bërë të ditur të hënën çmimet maksimale për derivate të naftës në periudhë 24-orëshe.

Çmimi maksimal për naftë është caktuar 1.85 euro, për benzinë, 1.74 euro dhe për gaz, 0.78 centë.

Sipas Ministrisë, këto çmime vlejnë nga ora 10:00 e 27 qershorit deri të nesërmen në kohë të njëjtë.

Ky njoftim vjen pasi, më 22 qershor, Qeveria e Kosovës ka miratuar udhëzim administrativ për rregullimin e çmimeve të derivateve të naftës dhe karburanteve të ripërtëritshme.

Ky vendim është marrë pas rritjes së çmimeve të naftës javëve të fundit në Kosovë.

Me raste një litër naftë ka kushtuar 1.91 euro.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka arsyetuar udhëzimin administrativ duke thënë se, në bazë të të dhënave të siguruara nga Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, është vërejtur se ka mospërputhje të çmimeve në Kosovë në krahasim me lëvizjet në tregjet botërore.

Lidhja Demokratike e Kosovës, parti opozitare, dhe naftëtarët, kanë kërkuar javë më parë që të ulet akciza për naftën si dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), ashtu që të mundësohet ulja e çmimeve.

Megjithatë, Qeveria nuk ka pranuar diçka të tillë, pasi ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se thirrja për uljen e akcizës për naftë bëhet për “t’i trashur fitimet e tregtarëve”, dhe se, sipas tij, heqja e akcizës nuk do të nënkuptonte edhe uljen e çmimeve.

Çmimet dhe kërkesa për naftë janë rritur në tregjet ndërkombëtare pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë më 24 shkurt.

XS
SM
MD
LG