Ndërlidhjet

Autoritetet serbe japin leje për tërheqjen e trupit të Faton Hajrizit, njofton MPJD


Ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Fotografi nga arkivi.
Ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Fotografi nga arkivi.

Prokuroria e Qarkut të Beogradit ka dhënë leje për tërheqjen e trupit të pajetë të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, i cili u vra në Lloznicë të Serbisë muajin e kaluar, njoftoi të enjten Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD).

MPJD shkroi në Facebook se, avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci, mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, dhe ambasadori Jetish Jashari, po kryejnë procedurat e tërheqjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës nga morgu i Lloznicës për t’u sjellë në Kosovë.

“Rreth procedurave të mëtutjeshme mjeko-ligjore të identifikimit dhe verifikimit të trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, nga institucionet e Republikës së Kosovës, do të ju mbajmë të informuar”, thuhet në njoftim.

Hajrizi u vra nga autoritetet e Serbisë më 19 korrik, konfirmoi muajin e kaluar Ministria e Jashtme.

Hajrizi, që ishte arratisur nga një burg në Kosovë më 6 korrik, u bë i dyshuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në orët e para të 18 korrikut në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.

Kërkimi disa orësh i policisë së Serbisë për Faton Hajrizit rezultoi në kapjen dhe vrasjen e tij.

Më 23 korrik, Arianit Koci, avokat nga Kosova, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ishte autorizuar nga familja Hajrizi për t’u angazhuar në procedurat e tërheqjes së trupit nga Serbia.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha në korrik se dorasi i dyshuar i policit u vra në vendin e quajtur Banja Kovilaça, pasi autoritetet serbe kishin qenë në kërkim të tij që nga vrasja e policit.

Sipas tij, ai ishte fshehur buzë lumit Drina, duke kërkuar një mënyrë për ta kaluar atë.

Serbia ka kërkuar që Gjermania të ekstradojë vëllain e Fatonit, Artanin, pasi në vendin e ngjarjes, u gjetën dokumente në emër të tij.

Hajrizi dyshohet se kishte udhëtuar nëpër Serbi me dokumentet e vëllait të tij, Artani është paraqitur para autoriteteve në Gjermani - ku dhe jeton- dhe ka thënë se i vëllai, Fatoni ia kishte vjedhur pasaportën gjatë kësaj jave në Gjermani. Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse Fatoni ka qenë në Gjermani.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG