Ndërlidhjet

Azerbajxhani do të nisë kthimin e refugjatëve në Nagorno-Karabak më 2022


Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Azerbajxhani ka thënë të mërkurën se do të nisë kthimin e refugjatëve të vet në rajonin e Nagorno-Karabakut, dhe rajoneve tjera të fituara pas konfliktit të vitit të kaluar me Armeninë, më 2022.

Rreth 750,000 azerbajxhanas janë shpërnguluar pasi Bakuja ka humbur kontrollin e rajonit të Nagorno-Karabakut dhe shtatë rajoneve tjera, në luftën e viteve 1990.

Mirëpo konflikti mes këtyre dy vendeve ka shpërthyer sërish në fund të shtatorit të vitit të kaluar, duke rezultuar me 6,000 persona të vdekur.

Luftimet kanë përfunduar pas gjashtë javësh, përmes një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia.

Për rezultat, Jerevani ia ka kthyer Bakus rajonet që deri më tani ka kontrolluar.

Të mërkurën, presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev ka thënë se shpreson në “rikthimin gradual të personave të shpërngulur nëpër territore, vitin e ardhshëm”.

Ai ka thënë se është duke u punuar në pastrimin e këtyre zonave nga minat tokësore dhe në rregullim të infrastrukturës së shkatërruar nga luftimet.

Duke mbajtur fjalim në konferencën ndërkombëtare të Kaukazit Jugor, të mbajtur në Baku, Aliyev ka thënë se pengesë e madhe për kthim të refugjatëve, është refuzimi i armenëve që t’i ofrojnë Bakus hartën e minave në rajonin e Nagorno-Karabakut.

Ai ka thënë që më shumë se 20 azerbajxhaas – si pjesëtarë të ushtrisë, apo edhe civilë – janë vrarë në Nagorno-Karabak nga shpërthimet e minave pas armëpushimit.

Rajoni i Nagorno-Karabakut njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, mirëpo armenët etnikë, që përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë atje, refuzojnë regjimin azerbajaxhanas.

XS
SM
MD
LG