Ndërlidhjet

Bajraku për të kaluarën, si pengesë e së ardhmes  


Veteranët e UÇK-së gjatë një proteste në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.

Duket se thënia e ish-kryeministrit britanik, Winston Churchil se “Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë”, do të vazhdojë të jetojë edhe shumë gjatë në Kosovë.

Lufta e fundit në Kosovë ka përfunduar në qershor të vitit 1999, por jo edhe debati për të.

Debatin për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e dëgjojnë edhe ata që atë kohë nuk ishin të lindur ende.

Praktikën e liderëve të tjerë të mëhershëm që t’i kushtohet vëmendje e madhe të kaluarës, po e vazhdon edhe kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti.

“Pjesa më e madhe e punës dhe energjisë time në dialog, është në zhbërjen e dëmit që e keni shkaktuar ju”, tha Kurti para deputetëve në Kuvendin e Kosovës, gjatë prezantimit të programit të qeverisë më 17 maj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e pyeti kryeministrin Kurti nëse mbahet peng i shërbimeve serbe.

“A je i rekrutuar prej shërbimeve serbe gjatë kohës sa ke qenë në burg?”, tha Haradinaj në seancën plenare të 20 majit.

Komentet e Haradinajt erdhën pas deklarimit të Kurtit në Bruksel se në Ballkanin Perëndimor edhe më tej ka “kriminelë të luftës dhe të paqes të cilët dominojnë me institucionet dhe partitë politike”.

Shoqëria kosovare e ngopur me debatin për të kaluarën

Duke mos ofruar debat për të ardhmen dhe as një standard që do t’i hapte rrugë integrimit në Bashkimin Evropian (BE), partitë e vjetra në Kosovë, insistojnë që ta ripërtërijnë ose ta mbajnë gjallë natyrën e debatit që ka ekzistuar në periudhën e menjëhershme të pasluftës, thotë profesori Seb Bytyçi, i cili jeton dhe punon në Angli.

Bytyçi thotë për Radion Evropa e Lirë se ky është një indikacion se Kosova ende nuk e ka kaluar periudhën e tranzicionit.

“Skena politike në Kosovë pasluftës ka qenë tipike për rastet e pasluftës, ku ka pasur përçarje dhe kanë qenë dy kampe kryesore dhe ka pasur akuza se kush sa ka kontribuar në të kaluarën e afërt, në periudhën e viteve e 90-ta gjatë luftës dhe periudhën e rezistencës civile”, thotë Bytyçi.

Dekada e Gjykatës Speciale
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:05:57 0:00

Ai thotë se partitë politike në Kosovë duhet të flasin dhe të debatojnë për çështje zhvillimore, për efikasitetin e institucioneve dhe rezultateve sa më të mira në politikën e jashtme.

“Në vend që të kemi debate të tilla bashkëkohore, që merren me çështje, në këtë rast edhe që është akute, siç është pandemia ose çështje më kronike siç është zhvillimi (ekonomik), ne po shohim në media një fokus tepër të madh në disa debate të tejkaluara. Opinioni publik dhe skena politike, partitë kryesore politike duhet të fokusohen në këto çështje dhe të mos i japin shumë rëndësi atyre temave që mbahen gjallë nga disa faktorë”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, një debat për atë se si “do ta dëshironim të ardhmen”, do të eliminonte defektet e së kaluarës.

Profesori Arben Hoxha, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik në Prishtinë, ngreh dyshimet nëse populli i Kosovës ka preokupim thelbësor të kaluarën.

“Pas përfundimit të luftës, populli i Kosovës që ishte edhe nën presionin ndërkombëtar për nevojat e një ‘paqeje emergjente’, hoqi dorë nga dimensioni i të kaluarës, si aset i kujtesës dhe vetëdijes për të drejtën”, thotë Hoxha për Radion Evropa e Lirë.

E kaluara për të cilën debatohet nga partitë politike tash e 21 vjet, sipas tij, është vetëm model folklorik.

“Marrëdhënia jonë me të kaluarën nuk është ndërtuese, por një thashethemnajë mbijetese e egove të individëve apo grupeve margjinale”, thotë Hoxha.

Sami Gashi dhe Rexhep Kaçandolli, qytetarë të anketuar në Prishtinë, kanë mendime ndryshe sa i përket debatit se a duhet të flitet ende për të kaluarën.

“Më shumë duhet të flasim për të ardhmen. Të rinjve disa gjëra nuk duhet t’u shpjegohen sepse po krijohen disa inate me të tjerët, me anëtarë të partive të tjera”, thotë Gashi.

“Duhet të flasim edhe për të kaluarën edhe për të ardhmen sepse pa e përmendur të kaluarën, as të ardhmen s’mundemi ta përcaktojmë”, thotë Kaçandolli.

Duke qenë se Kosova është pas fushatës zgjedhore dhe fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale, sipas profesorëve Hoxha dhe Bytyçi, debate për luftën dhe të kaluarën, pritet të ketë edhe në muajt në vazhdim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG