Ndërlidhjet

Obama paralajmëron kundër keqpërdorimit të mediave sociale


Ish-presidenti Barack Obama dhe princi Harry

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, në një intervistë për BBC-në, paralajmëroi kundër përdorimit të papërgjegjshëm të mediave sociale.

Ai tha se veprimi i tillë e shtrembëron pikëpamjen e njerëzve për çështje komplekse dhe përhap keqinformimin.

“Mendoj se rreziku më i madh që shpesh u ngjan liderëve është se njerëzit për të cilët ata duhet të shërbejnë, bëhen abstraktë – dhe ata nuk janë abstraktë”, tha Obama në intervistën dhënë princit të Britanisë, Harry, në programin Today të radio BBC-së.

Princi Harry, i pesti në radhë për marrjen e fronit, është një nga figurat e shquara që bëhen nikoqire të programit gjatë periudhës së Krishtlindjeve.

Obama po ashtu shprehu shqtësim për një të ardhme, ku faktet humben dhe njerëzit lexojnë dhe dëgjojnë vetëm gjëra që i përforcojnë pikëpamjet e tyre.

“Një nga rreziqet e internetit është se njerëzit mund të kenë realitete krejtësisht të ndryshme. Ata mund të përfshihen nga informacione që i përforcojnë paragjykimet e tyre aktuale”, tha ish-presidenti amerikan.

“Shtrohet pyetja se si ta shfrytëzojmë këtë teknologji në një mënyrë që lejon shumëllojshmëri të zërave, lejon shumëllojshmëri të pikëpamjeve”, shtoi ai.

Pasardhësi i Obamës, presidenti Donald Trump, është përdorues i rregullt i Twitter-it, por Obama nuk e përmendi atë me emër.

Trump është akuzuar për keqpërdorim të Twitter-it dhe për ndjekje të një rrethi të ngushtë përdoruesish, edhe pse ai këmbëngul se platforma i mundëson lidhje direkte me popullin amerikan.

Obama tha se kontaktet sy më sy mund të ndihmojnë në parandalimin e pikëpamjeve ekstreme.

“Media sociale është vërtet një mjet i fuqishëm për njerëzit me interesa të përbashkët, që të njihen dhe lidhen me njëri-tjerin. Por, është po ashtu e rëndësishme që ata të dalin jashtë tyre, të takohen në një pijetore, në vende ku luten, në lagje dhe të njohin njëri-tjerin. Sepse, e vërteta është se në internet, çdo gjë është e thjeshtë, por kur i takoni njerëzit ballë për ballë, gjërat komplikohen”, tha ish-presidenti amerikan.

Pa hedhur poshtë problemet me të cilat ballafaqohet bota, Obama tha se mbetet optimist.

“Nëse marrim përgjegjësinë për t’u përfshirë në fatin tonë, nëse marrim pjesë, nëse angazhohemi, nëse flasim, nëse punojmë në komunitetet tona, nëse bëhemi vullnetarë, atëherë të githa problemet me të cilat përballemi, janë të zgjidhshme, pavarësisht lajmeve të tmerrshme që shohim”, tha Obama.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG