Ndërlidhjet

DASH: Bashkësitë fetare në Kosovë me ankesa për diskriminim


Departamenti amerikan i Shtetit

Policia e Kosovës, gjatë vitit 2020, ka pranuar raporte për 57 incidente kundër vendeve fetare ose varrezave, krahasuar me 61 incidente të ngjashme në vitin 2019.

Kështu bëhet e ditur në Raportin për Liritë Fetare Ndërkombëtare të Departamentit amerikan të Shtetit, për vitin 2020, i cili u publikua të mërkurën.

Në raport thuhet se shumica e incidenteve të lartpërmendura janë klasifikuar si vjedhje, ndonëse disa kanë përfshirë edhe dëmtime në varreza ose prona të tjera.

“Shumica e incidenteve i kishin në shënjestër vendet e bashkësisë myslimane, ndonëse disa përfshinin edhe pronat e Kishës Ortodokse Serbe dhe të Kishës Katolike”, thuhet në raport.

Raporti kujton se Qeveria e Kosovës, në shtator të vitit të kaluar, ka miratuar dhe dërguar në Parlament ndryshimet në Ligjin për lirinë fetare, që do t’u lejonin grupeve fetare ta fitonin statusin ligjor, të bënin biznes dhe të merrnin prona të paluajtshme e personale në emrin e tyre.

Ndryshimet, megjithatë, nuk janë votuar në Parlament, për shkak të mungesës së vazhdueshme të kuorumit.

“Në mungesë të zbatimit të legjislacionit, të gjitha bashkësitë fetare thanë që vazhduan të operonin llogari bankare të regjistruara në emër të individëve, në vend të bashkësive. Përveç kësaj, komunitetet, si Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës, thanë që vazhduan të tatoheshin si biznese fitimprurëse”, thuhet në raport.

Raporti po ashtu citon Bashkësinë Islame të Kosovës të ketë thënë se ka pasur shumë raste, në të cilat shkollat fillore ua kanë mohuar hyrjen nxënëseve myslimane, “si rezultat i zbatimit të qarkores administrative të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që ndalon veshjen fetare në pronën e shkollës”.

Raporti citon dy raste të tilla, një në Fushë Kosovë dhe një në Gjakovë.

Sipas raportit, përfaqësuesit myslimanë po ashtu kanë thënë se ka pasur raste të diskriminimit në punësim ndaj grave myslimane që vishnin rroba fetare, por ata nuk kanë përmendur ndonjë shembull.

Në raportin e DASH-it thuhet se komunitetet serbe dhe hebraike të Kosovës kanë raportuar se disa komuna nuk i kanë mirëmbajtur siç duhet varrezat e këtyre komuniteteve.

Kisha Ortodokse Serbe ka thënë se mungesa e komunikimit konstruktiv me disa qeveri komunale i ka penguar pelegrinët ortodoksë serbë që të kenë qasje të lirë në disa tempuj dhe varreza të Kishës, thuhet në raport.

“Autoritetet lokale dhe qendrore vazhduan ta shpërfillnin një vendim të gjykatës të vitit 2016 mbi pronësinë e Kishës Ortodokse Serbe për disa parcela të tokës pranë Manastirit të Deçanit”, thekson raporti i Departamentit amerikan të Shtetit.

Pjesën e plotë për Kosovën mund ta lexoni këtu.

XS
SM
MD
LG