Ndërlidhjet

Thaçi pyet liderët e BE-së se çka duhet të bëjë Kosova për t'ia hequr vizat


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga udhëheqësit më të lartë të Bashkimit Evropian që Kosova të mos mbetet e përjashtuar nga procesi i liberalizimit të vizave.

Këto komente Thaçi i bëri pasi liderët e gjashtë shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor zhvilluan një darkë pune në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

Nga ana e BE-së në këtë takim morën pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula van der Leyen, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq në cilësinë e shefit të qeverisë që ka kryesimin e radhës së BE-së si dhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell.

Liderët e Ballkanit Perëndimor gjatë takimit në Bruksel.
Liderët e Ballkanit Perëndimor gjatë takimit në Bruksel.


Nga ana e shteteve të rajonit ishin të ftuar presidentët, me përjashtim të Shqipërisë, të cilën e përfaqësoi kryeministri Edi Rama. Nga Kosova në takim mori pjesë presidenti Hashim Thaçi.

Presidenti Thaçi tha pas takimit se ideja për takime të tre liderëve të ri të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është një qasje e drejtë dhe dëshmon se është kuptuar serioziteti i nevojës së lëvizjes së rajonit drejt së ardhmes evropiane.

Thaçi edhe kësaj radhe foli për domosdoshmërinë që Kosovës t’i liberalizohen vizat, pasi i ka përmbushur të gjitha kushtet e parashtruara.

“Km pyetur shumë hapur se çka duhet të bëjë Kosova që të ndodhë liberalizimi i vizave. Përgjigja ka qenë: ‘asgjë më tepër, e keni meritur deri tash dhe tash mbetet vetëm vendimi i Këshillit Evropian’. Dua të besoj se do të ketë një unitet të vendeve të Bashkimit Evropian që të ndodhë liberalizimi i vizave”, tha presidenti Thaçi.

Edhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq u shpreh optimist sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

I pyetur se a mund të ndodhë kjo gjatë Presidencës korate në BE, ai tha se Kroacia gjithsesi se do të punojë në këtë drejtim.

“Kam biseduar me presidenti Thaçi për këtë. Më parë edhe me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj dhe gjatë konferencës së Mynihut bisedova edhe me kryeministrin e ri, Albin Kurti. Qëndrimi i Kroacisë është se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet. Por, ka shtete të cilat nuk e ndajnë këtë qëndrim me ne. Ne do të punojmë dhe të shfrytëzojmë një atmosferë pozitive që po krijohet për zgjerimin në mënyrë që të përmbyllim edhe këtë çështje shumë të rëndësishme për Kosovën për liberalizimin e vizave”, u shpreh kryeministri kroat.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se në këtë takim është biseduar edhe për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ndërkaq nënvizoi se duhet të ketë koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sepse, siç tha ai, roli i SHBA-së në këtë proces është i pazëvendësueshëm.

Në pyetjen se a do të ketë koordinim mes tij dhe kryeministrit Kurti, presidenti Thaçi u shpreh:

“Ne duhet të kemi argumente që fitojnë dhe fuqizojnë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën. Të mos marrim vendime që e largojnë Kosovën nga mbështetja ndërkombëtare. Natyrisht se duhet të ketë koordinim brenda institucional, e në të njëjtën kohë mes pozitës dhe opozitës. Unë do të luaj rolin tim për unitetin politikë dhe qytetarë në Kosovë”.

I pyetur se a mund të jetë problem për Kosovën nëse një i dërguar i posaçëm i BE-së për dialog të vijë nga një shtet që nuk e njeh Kosovën, Thaçi tha se “kushdo që të vijë duhet ta trajtojë Kosovën si shtet sepse pavarësia e Kosovës është fakt dhe është e pakthyeshme”.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell tha se ai në takimin e ministrave të Jashtëm do të flasë për rajonin e Ballkanit, por tha se në këtë takim nuk do të propozohet i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi sepse para se kjo të ndodhë, duhet të ndiqet një procedurë dhe të përgatiten dokumentet e duhura.

Të hënën në Bruksel po ashtu do të zhvillohet edhe konferenca e donatorëve për të ndihmuar Shqipërinë që të përballet me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG