Ndërlidhjet

BE-ja dënon Rusinë për shtypjen ndaj mediave dhe OJQ-ve


Flamuj të Bashkimit Evropian. Fotografi nga arkivi.

Bashkimi Evropian i bëri thirrje Rusisë që të ndalë “shtypjen e vazhdueshme” mbi mediat e pavarura, gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile, ndërkaq, shtypja që po ndodh para zgjedhjeve parlamentare, që mbahen më vonë gjatë këtij viti, sipas bllokut evropian, është “veçanërisht shqetësuese”.

Në një deklaratë për media, zëdhënësja e shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell përmendi vendimet e fundit të autoriteteve ruse për të futur disa gazetarë dhe organizata joqeveritare për ndihmë juridike në listën e “agjentëve të huaj”, siç ishte rasti i Institutit për Drejtësi dhe Politika Publike, por po ashtu BE-ja përmendi edhe vendimin për ta njohur si “organizatë të padëshirueshme” kompaninë mediale, The Project.

BE-ja po ashtu ka kujtuar edhe rastin e organizatës tjetër joqeveritare për ndihmë juridike Komanda 29, që sipas bllokut evropian, ndaj kësaj organizate është bërë “presion dhe akuza të pajustifikueshme” nga autoritetet ruse.

Me ndihmën e Kremlinit, veprimet e partisë në pushtet në Rusi, gjerësisht po shihen si shtypje e mediave dhe organizatave joqeveritare para zgjedhjeve parlamentare të 19 shtatorit.

“Ndikimi kulmues i këtyre zhvillimeve të fundit, së bashku me një mori masash shtypëse që kanë për cak organizata joqeveritare dhe persona të respektueshëm në Rusi, rezulton në shkatërrimin e mëtejmë të disidencës, opozitës, zërave kritikë dhe institucioneve të pavarura në sferën publike ruse”, tha zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali.

Blloku 27-anëtarësh “qëndron në solidaritet me shoqërinë civile ruse, me mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe me gazetarët e pavarur dhe vazhdon t’i mbështesë ata në punën e tyre të rëndësishme”, shtoi Massrali.

XS
SM
MD
LG