Ndërlidhjet

Biden thotë se po punon për ta kthyer në SHBA basketbollisten e arrestuar në Rusi


Bashketbollistja amerikane, Brittney Griner, e cila është arrestuar në Rusi. Fotografi nga arkivi.

Presidenti Joe Biden ka telefonuar gruan e basketbollistes Brittney Griner, e cila është arrestuar në Rusi, dhe i është zotuar se po punon për ta fituar lirimin e saj sa më shpejt të jetë e mundur, tha Shtëpia e Bardhë të mërkurën.

Griner u arrestua në shkurt në aeroportin Sheremetyevo të Moskës. Sipas policisë ajo po transportonte cigare elektrike me vaj kanabisi.

Biseda e Biden me gruan e Griner, Cherelle Griner, vjen pasi Brittney Griner i shkroi një letër Biden të hënën.

Në letër, Brittney Griner i tha presidentit se kishte frikë se do të kalonte përgjithmonë në një burg rus. Ajo ndodhet në paraburgim prej katër muajsh.

Ajo më 1 korrik u paraqit në seancën gjyqësore në Moskë, pas më shumë se katër muajsh që kur u arrestua.

Në një seancë me dyer të mbyllura, periudha e paraburgimit e Griner u zgjat edhe për gjashtë muaj të tjerë.

Arrestimi dhe gjyqi i sportistes amerikane vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit janë në pikën e tyre më të ulët.

Griner u arrestua më pak se një muaj para se Rusia të dërgonte trupat në Ukrainë, çka rriti edhe më shumë tensionet mes dy shteteve.

XS
SM
MD
LG