Ndërlidhjet

Thirrje BE -së të vazhdojë dëbimet e migrantëve afganë


Migrantë afganë në një qendër azili në Rumani. Foto nga Arkivi.
Migrantë afganë në një qendër azili në Rumani. Foto nga Arkivi.

Gjashtë vende anëtare të Bashkimit Evropian (BE) i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian të mos e ndalojë dëbimin e migrantëve afganë, pavarësisht marrjes së kontrollit nga ana e talibanëve të disa pjesëve të vendit, thanë zyrtarët të martën.

Qeveritë e Gjermanisë, Danimarkës, Austrisë, Belgjikës, Greqisë dhe Holandës i shkruan një letër organit ekzekutiv të BE -së duke thënë se atyre duhet t’u lejohet të kthejnë mbrapsht migrantët afganë, nëse nuk miratohen kërkesat e tyre për azil.

Në muajin korrik, Afganistani i bëri thirrje BE -së që të ndalojë dëbimet e detyruara të migrantëve afganë, për tre muaj, derisa forcat e sigurisë po luftojnë kundër talibanëve.

Talibanët filluan një ofensivë kundër forcave qeveritare që kur Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera, në muajin maj, filluan tërheqjen e forcave të tyre nga Afganistani, pas rreth 20 vjetësh të operacioneve luftarake atje.

Tërheqja e plotë pritet të ndodhë deri në fund të muajit gusht.

“Vetëm sepse rajonet e një vendi janë të rrezikshme nuk do të thotë se çdo person nga ai vend ka të drejtën e mbrojtjes” tha ministri belg i Azilit dhe Migracionit, Sammy Mahdi, duke arsyetuar kërkesën e gjashtë shteteve drejtuar KE-së.

Ministria holandeze e drejtësisë konfirmoi gjithashtu se i kishte kërkuar Brukselit të mos pezullojë dëbimet e detyruara, ndërsa shtoi se "zhvillimet në Afganistan po ndiqen nga afër".

Por, një zyrtar i lartë i BE -së tha se "duke pasur parasysh situatën aktuale, unë nuk pres që operacionet e kthimit të detyruar të ndodhin".

Sipas AFP-së, ky zyrtar ka thënë se këtë vit, 1.200 njerëz ishin kthyer nga BE-ja në Afganistan. Prej tyre, 1.000 ishin "vullnetarë" dhe 200 "të detyruar".

Pas kërkesës së Kabulit drejtuar vendeve të BE -së më 11 korrik, Suedia dhe Finlanda ndaluan dëbimet e detyruara në Afganistan.

Afganët në vitin 2020 përbënin 10.6 për qind të azilkërkuesve në BE, ose pak më shumë se 44.000 nga rreth 416.000 kërkesat e përgjithshme për azil. Shifra është e dyta më e madhe pas sirianëve me 15.2 për qind, sipas statistikave të BE -së.

XS
SM
MD
LG