Ndërlidhjet

BE-ja nuk do të rinegociojë marrëveshjen për Brexit


Samiti i liderëve evropian, prej nga kryeministrja britanike, Theresa May, synon të marrë mbështetjen e bllokut evropian për paktin e Brexit-it.
Samiti i liderëve evropian, prej nga kryeministrja britanike, Theresa May, synon të marrë mbështetjen e bllokut evropian për paktin e Brexit-it.

Kryeministrja britanike, Theresa May, u ka bërë thirrje liderëve evropianë t’i ndihmojnë për të siguruar në Britani përkrahje për marrëveshjen e Brexit-it, që ka negociuar kryeministrja britanike me Bashkimin Evropian.

Mirëpo, BE-ja, në anën tjetër, ka thënë se javën tjetër do të prezantojë planet për Brexit, pa marrëveshje, transmeton AP.

May ka shkuar në Bruksel për të marrë pjesë në një samit të BE-së, teksa synon të marrë mbështetjen e bllokut evropian për paktin e Brexit-it, meqë nuk e ka parë këtë gatishmëri në Parlamentin britanik dhe i ka mbijetuar një vote mosbesimi gjatë kësaj jave, të organizuar nga vetë deputetët e partisë së saj.

“Ekziston një shumicë në Parlamentin tim që dëshiron të ketë Brexit me marrëveshje, vetëm nëse ky pakt sigurohet në mënyrë të duhur”, ka thënë May duke paralajmëruar homologët evropianë se mund të ketë pasoja nëse Britania largohet nga BE-ja pa pakt.

Mirëpo, zyrtarët e BE-së kanë thënë se nuk i kanë të qarta kërkesat e Britanisë.

“Nuk e konsideroj pozitive pikëpamjen se ndoshta në Britani mendojnë që i përket BE-së të propozojë zgjidhje”, ka thënë presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, në një konferencë për media të premten.

“Britania po largohet, jo BE-ja. Mendoj se Qeveria britanike duhet të na tregojë se çfarë saktësisht kërkon”, ka shtuar ai.

Juncker ka thënë se britanikët duhet të jenë më të qartë në sqarime brenda javësh, në rast se dëshirojnë të arrijnë përparim dhe të mënjanojnë një Brexit pa marrëveshje.

May ka thënë më parë se është në dijeni që nuk mund të arrihet mrekulli në samitin dyditor.

“Nuk pres pikë kthese të menjëhershme, mirëpo shpresoj se ne do të fillojmë të punojmë sa më shpejt në kërkesat që i konsiderojmë të domosdoshme”, ka thënë May.

Java në Britani ka qenë e tensionuar pasi ajo të hënën ka shtyrë seancën në Parlamentin britanik për votim të marrëveshjes së saj për Brexitin.

Zemërimi për këtë vendim ka rezultuar me organizimin e një vote mosbesimi kundër saj ditën e mërkurë.

May i ka mbijetuar votimit, pavarësisht se një pjesë e madhe e deputetëve të partisë së saj kanë votuar kundër kryeministres britanike sa i përket planit të saj për Brexit.

Për të siguruar fitoren ajo ka premtuar se do të japë dorëheqje nga pozita e saj si lidere e konservatorëve para zgjedhjeve të ardhshme që do të mbahen në Britani më 2022.

Brexit-i: Ndodh, nuk ndodh...
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:09:29 0:00

Ndërkohë, të 27 vendet e BE-së kanë thënë se nuk mund të ketë ndryshime në marrëveshjen e Brexit-it dhe kanë thënë se nuk janë të hapur për “rinegociim”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se “ne nuk mund të rinegociojmë diçka që është negociuar për muaj të tërë”.

Marrëveshja për Brexit është kritikuar për shumë sektorë, mirëpo çështje kyçe ka të bëjë me kufirin që ndan Britaninë me Republikën e Irlandës.

Në një dispozitë të marrëveshjes për Brexit, përcaktohet se Britania do të vazhdojë të jetë pjesë e doganave të BE-së, nëse të dyja palët nuk pajtohen për një tjetër mënyrë që të anashkalojnë kufirin e ashpër.

Ligjvënësit pro Brexitit e kundërshtojnë ashpër këtë plan, pasi sipas tyre, kjo gjë e mban të lidhur Britaninë me rregullat tregtare të BE-së.

Politikanët pro BE-së, në anën tjetër, e konsiderojnë të pamatur mundësinë për të mbetur në bllokun evropian.

Prandaj, May u ka thënë liderëve evropianë se për të fituar përkrahjen e britanikëve për marrëveshjen e Brexitit, “ne duhet të ndryshojmë idenë se çështja e kufirit irlandez është kurth për Britaninë, nga i cili nuk do të mund të ikë”.

Marrëveshja e negociuar me BE-në, duhet të mbështetet nga deputetët e shumicës në Parlamentin britanik, për të hyrë në fuqi.

Në referendumin e 23 qershorit më 2016, 17.4 milionë persona apo 51.9 për qind e votuesve e kanë përkrahur largimin nga BE-ja derisa 16.1 milionë të tjerë apo 48.1 për qind të tjerë kanë votuar kundër Brexit-it.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG