Ndërlidhjet

Fajon: Integrimi i Ballkanit Perëndimor si përgjigje e BE-së ndaj ndikimit rus në rajon


Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Sllovenisë, Tanja Fajon dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Bosnje e Hercegovinës, Bisera Turkoviq, Sarajevë, 13 janar 2023.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Sllovenisë, Tanja Fajon dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Bosnje e Hercegovinës, Bisera Turkoviq, Sarajevë, 13 janar 2023.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Sllovenisë, Tanja Fajon, deklaroi se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është në krye të listës së prioriteteve të Bashkimit Evropian (BE) dhe se është përgjigje kyçe ndaj rritjes së ndikimi rus në këtë rajon.

Më 13 janar, në Sarajevë, Fajon diskutoi me Ministren e Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës (BeH), Bisera Turkoviq, për marrëdhëniet midis dy vendeve, ndikimin rus në Bosnje e Hercegovinë dhe reformat e nevojshme me të cilat përballen institucionet e këtij vendi në rrugën evropiane.

Ajo i uroi qytetarët e Bosnje e Hercegovinës për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE dhe premtoi ndihmë profesionale në zbatimin e reformave të nevojshme, me të cilat do të përballet Bosnje e Hercegovina në rrugën e saj drejt BE-së.

“Sllovenia ia zgjati dorën Bosnje e Hercegovinës dhe në radhë të parë varet nga ju se sa fort do ta shtrëngoni atë dorë të shtrirë nga Sllovenia dhe BE-ja”, tha Fajon.

Ajo shtoi se institucionet e Bosnje e Hercegovinës do të duhet të bëjnë pjesën e tyre të detyrës dhe të përmbushin 14 prioritetet e caktuara nga Komisioni Evropian dhe se pikërisht kjo do të përcaktojë shpejtësinë e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Fajon theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Bosnje e Hercegovinës dhe Sllovenisë janë të mira dhe nuk ka çështje të mëdha të hapura ndërmjet dy vendeve. Siç tha ajo, në Bosnje e Hercegovinë operojnë rreth 100 kompani sllovene, të cilat punësojnë rreth 15 mijë qytetarë të Bosnje e Hercegovinës.

“Këmbimi i mallrave po shënon rritje dhe aktualisht është rreth gjysmë miliardë euro”, tha Fajon, duke shtuar se gjatë vizitës do të takohet me biznesmenë dhe komunitetin akademik për të diskutuar mbi mundësitë e përmirësimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Unë jam njoftuar me rritjen e ndikimit rus në Bosnje e Hercegovinë”, tha Fajon, duke shtuar se uniteti në Evropë është vendimtar për t’iu përgjigjur pushtimit rus në Ukrainë.

“Negociatat me Maqedoninë e Veriut, regjimi pa viza për Kosovën dhe zgjerimi në Ballkanin Perëndimor janë lartë në listën e prioriteteve”, tha Fajon, duke shtuar se Sllovenia për këtë do të ofrojë ndihmën teknike e politike dhe se është thelbësore që Bosnje e Hercegovina, pas formimit të qeverisë së re, të vazhdojë në rrugën e saj drejt BE-së.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Bosnje e Hercegovinës, Bisera Turkoviq tha se vendi i saj po përballet me përpjekjet e vazhdueshme të forcimit të ndikimit dhe destabilizimin rus.

“Janë njoftimet e mediave ruse që paralajmërojnë turbulenca të mëtejshme në Kosovë por edhe në BeH. Kemi pasur disa përpjekje nga ekspertë mjeko-ushtarakë rusë në kohën e COVID-it. Kemi pasur një autokolonë që priste thirrjen nga Mostari. Kemi pasur dy aeroplanë që kanë arritur dhe doli që nuk ishin ekspertë mjekësorë por ushtarakë”, tha Turkoviq.

Ajo shtoi se njoftimet e përditshme dhe destruktive për shkëputjen nga Bosnje e Hercegovina të entitetit Republika Sërpska dhe për bashkimin e saj me Serbinë, përmes promovimit të “Botës Serbe”, nuk janë aspak të padëmshme dhe vijnë me mbështetjen e fuqishme të Rusisë.

Ajo shtoi se dhënia e dekoratës për Vladimir Putinin në Republikën Sërpska “është një shuplakë ndaj gjithë botës demokratike”.

XS
SM
MD
LG